Flash News

SPORT

Sot kurorëzohet kampionia e botës! Spanja dhe Argjentina përballen në finalen e madhe

Spanja dhe Argjentina për kurorën e botës, sot luhet finalja e madhe e Botërorit 2026
Pritjes i vjen fundi. Mbrëmjen e sotme, stadiumi MetLife në New Jersey do të jetë skena e finales së madhe të Kupës së Botës 2026, ku Spanja dhe Argjentina do të përballen për trofeun më prestigjioz të futbollit.

Përballja vjen si një duel mes dy kampionëve kontinentalë, me Spanjën që mban kurorën e Evropës dhe Argjentinën atë të Amerikës së Jugut. Është hera e parë që dy skuadra me këtë status takohen në finalen e një Botërori, duke e kthyer sfidën në një nga më të shumëpriturat e viteve të fundit.

Spanja ka qenë skuadra më bindëse gjatë këtij edicioni. Formacioni i Luis de la Fuente ka ndërtuar suksesin mbi një mbrojtje të hekurt, duke pësuar vetëm një gol në të gjithë turneun dhe duke regjistruar një seri rekord ndeshjesh pa prekur rrjetën. Pas hapit fals në debutim ndaj Kepit të Gjelbër, iberikët kanë fituar çdo takim, duke lënë jashtë Austrinë, Portugalinë, Belgjikën dhe Francën.

Në anën tjetër, Argjentina ka konfirmuar edhe një herë mentalitetin e saj fitues. Skuadra e drejtuar nga Lionel Scaloni siguroi finalen pasi përmbysi Anglinë në gjysmëfinale, ndërsa vjen në këtë sfidë me një seri të gjatë fitoresh radhazi. "Albiceleste" synon të mbrojë titullin dhe të bëhet vetëm kombëtarja e dytë në histori që fiton dy Botërorë radhazi.

Finalja pritet të shënojë edhe një moment simbolik për futbollin botëror. Lionel Messi, ikona e Argjentinës, pritet të zhvillojë ndeshjen e tij të fundit në një Kampionat Botëror, ndërsa në krahun tjetër qëndron Lamine Yamal, talenti spanjoll që ka qenë një nga zbulimet më të mëdha të turneut.

Edhe statistikat e përballjeve mes dy kombëtareve premtojnë një finale të ekuilibruar. Në 14 takimet e zhvilluara deri më tani, Spanja dhe Argjentina numërojnë nga gjashtë fitore secila, ndërsa dy sfida kanë përfunduar në barazim. Historia, forma aktuale dhe emrat në fushë premtojnë një finale spektakolare, ku vetëm njëra do të ngrejë lart trofeun e Kupës së Botës 2026.
 
 
 
 

Të fundit