Flash News

Bota

Nga festa në tragjedi, 13-vjeçari humb jetën gjatë kremtimeve për Kupën e Botës në Spanjë

1366x768_cmsv2_8472c27b-2b0d-5b17-9140-e0bd1c6beaee-9843714.webp

Gëzimi për triumfin e Spanjës në Kupën e Botës 2026 u shndërrua në një ngjarje të rëndë në qytetin Ciudad Rodrigo, në provincën e Salamanca-s, ku një 13-vjeçar humbi jetën gjatë festimeve të tifozëve.

Sipas autoriteteve spanjolle, aksidenti ndodhi në orët e para të së hënës, kur një pjesë e shatërvanit ku ishin ngjitur dhjetëra persona u shemb papritur. I mituri mbeti i zënë poshtë gurëve të strukturës dhe, megjithëse u nxor me shpejtësi dhe u dërgua në qendrën më të afërt shëndetësore, nuk arriti t'u mbijetojë plagëve.

Përveç viktimës, nga shembja u plagosën edhe dy persona të tjerë. Deri tani, autoritetet nuk kanë dhënë informacion të detajuar për gjendjen e tyre shëndetësore.

Kryetari i Bashkisë së Ciudad Rodrigo e cilësoi ngjarjen si një tragjedi që ka tronditur të gjithë komunitetin, duke theksuar se një natë që duhej të ishte simbol i festës dhe krenarisë kombëtare u kthye në një ditë zie.

Si shenjë respekti për viktimën, autoritetet vendore kanë shpallur tre ditë zie zyrtare dhe kanë shprehur ngushëllimet për familjen e 13-vjeçarit.

Shatërvani ku ndodhi aksidenti është prej kohësh një pikë tradicionale ku tifozët mblidhen për të festuar fitoret sportive, duke u ngjitur mbi strukturën prej guri. Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e shembjes, ndërsa tragjedia ka rikthyer debatin mbi masat e sigurisë gjatë festimeve masive në monumente dhe hapësira publike.

Të fundit