Flash News

E-TJERA

Ndotja e ajrit në nivele alarmante, shteti ‘mbyll sytë’

Ndotja e ajrit në nivele alarmante, shteti ‘mbyll sytë’

Tri dokumente të pavarura nga njëri-tjetri, një monitorim qytetar, një analizë e të dhënave zyrtare mbi cilësinë e ajrit dhe një auditim shtetëror, çojnë në të njëjtin përfundim: ekspozimi i qytetarëve ndaj ndotjes është i lartë dhe i vazhdueshëm, ndërsa institucioni që duhet ta parandalojë atë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, nuk po ushtron funksionet bazë për të cilat ekziston.

 
Pasoja nuk është vetëm mjedisore, por edhe institucionale: standardet ligjore ekzistojnë, por zbatimi i tyre mbetet, siç e përshkruan vetë auditi shtetëror, kryesisht formal.

Në dhjetor të vitit të kaluar, në stacionin e monitorimit SM2 mbi Rrugën e Kavajës në Tiranë, përqendrimi i grimcave PM2.5 arriti 75 mikrogramë për metër kub, pesëmbëdhjetë herë mbi kufirin orientues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë prej 5 μg/m3. Në të njëjtin muaj, PM10 shënoi 86.5 μg/m3. Ky nuk ishte rasti i vetëm: në muajt gusht–nëntor të të njëjtit vit, i njëjti stacion regjistronte vlera midis 7 dhe 11 μg/m3.

E njëjta gjë vlen edhe për zhurmën, e cila në diskursin publik trajtohet shpesh si problem dytësor krahasuar me ajrin, por që raporti i monitorimit alternativ e dokumenton si po aq strukturor. Nga 300 pika të monitoruara në Tiranë, 78 për qind tejkalojnë standardin orientues prej 55 decibelësh gjatë ditës, dhe rreth gjysma e qytetit nuk arrin nivelin minimal të qetësisë natën, me disa stacione, si TR272, me 71 decibelë, që mbeten praktikisht të pabanueshme për një gjumë të shëndetshëm sipas kritereve mjekësore ndërkombëtare.

Një trend kombëtar, jo vetëm Tirana 
Të dhënat zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, të analizuara në raportin e kryer nga Qëndresa Qytetare, konfirmojnë se kjo nuk është thjesht një histori lokale për një rrugë të Tiranës. Mesatarja kombëtare e PM2.5 është pothuajse dyfishuar mes viteve 2019 dhe 2024, nga rreth 10 në mbi 16 μg/m3, ndërsa dioksidi i azotit (NO2), treguesi më i lidhur me trafikun urban, është rritur nga 19.11 në 25.45 μg/m3 në të njëjtën periudhë. PM10 arriti kulmin në μg/m3 në 2023, para se të bjerë lehtësisht në 2024. Këto shifra mbeten formalisht nën kufijtë vjetorë të Bashkimit Evropian, por lëvizin në drejtimin e kundërt me atë që do të pritej nga një vend që deklaron përafrim të vazhdueshëm me standardet evropiane të mjedisit.

Elbasani është rasti më i qartë ku kjo tendencë kalon nga shqetësuese në të paligjshme: në 2024, PM2.5 në qytet arriti 30.15 μg/m3, mbi kufirin vjetor ligjor të BE-së prej 25 μg/m3. Pjesa tjetër e treguesve, NO2, dioksidi i squfurit, ozoni, benzene, mbetën brenda standardeve, gjë që izolon grimcat e imëta si burimin kryesor të rrezikut lokal dhe hap pyetjen se cilat aktivitete specifike po e shkaktojnë atë. Korça dhe Durrësi, ndërkohë, shfaqin rritje të vazhdueshme të ozonit në nivel troposferik që prej 2023-shit, një formë tjetër ndotjeje, e lidhur me reaksione fotokimike vere, që rrezikon të kalojë pa u vënë re nëse vëmendja publike mbetet e përqendruar vetëm te grimcat dimërore.

Sistemi që mat pak dhe mat keq

Ajo që lidh të dy raportet e monitorimit është një dobësi e përbashkët: Shqipëria nuk e njeh me saktësi shtrirjen e problemit që përshkruan. Rrjeti zyrtar i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit ka vetëm shtatë stacione automatike matjeje në të gjithë territorin, disa prej të cilave, sipas raporteve të vazhdueshme të Komisionit Evropian për Kapitullin 27 të negociatave të pranimit, nuk funksionojnë rregullisht për shkak të mungesës së fondeve për mirëmbajtje. Vetë të dhënat zyrtare e tradhtojnë këtë boshllëk: disa qytete dhe vite raportojnë vlera prej 0 μg/m3 për disa ndotës, një shifër që në praktikë tregon jo ajër të pastër, por instrumente jashtë funksionimi.

Kjo mungesë mbulimi krijon një hendek që organizatat e shoqërisë civile po përpiqen ta mbushin. Rrjeti i monitorimit alternativ i GreenAL dhe Co-PLAN është zgjeruar nga 13 pika fillestare në Unazën e Vogël të Tiranës në mbi 800 pika ajri e zhurme dhe 40 pika uji në gjashtë bashki të mëdha gjatë 2025-ës. Milieukontakt, në një krahasim të pavarur në Durrës për 2023-shin, regjistroi mesatare PM2.5 prej 25.28 μg/m3, më shumë se dyfishi i mesatares zyrtare prej 12.24 μg/m3 për të njëjtin qytet e periudhë.

Raporti mbi cilësinë e ajrit e cilëson me kujdes këtë diferencë: monitorimet alternative “nuk kundërshtojnë domosdoshmërisht të dhënat zyrtare, por i plotësojnë ato duke identifikuar hotspot-e”, një formulim diplomatik për një realitet të thjeshtë, që rrjeti shtetëror i matjes nuk po e kap pjesën më të rëndë të ekspozimit qytetar.

Deri këtu, historia do të mund të lexohej si një dështim teknik: pak stacione, buxhet i pamjaftueshëm, monitorim i fragmentuar. Auditimi i plotë i përputhshmërisë që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer mbi veprimtarinë e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit tregon diçka më të thellë, se vetë institucioni përgjegjës për lejet, vlerësimet e ndikimit dhe inspektimet mjedisore nuk po e ushtron këtë rol as edhe në pjesën që nuk kërkon fonde shtesë, por thjesht respektim procedurash.

KLSH dokumenton raste konkrete ku leje mjedisore tip A dhe B janë miratuar pa vlerësim paraprak të ndikimit në mjedis (VNM), edhe pse ligji e kërkon këtë hap për projekte me rrezik të lartë: një subjekt prodhues pajisjesh elektrike, një minierë në Bulqizë, një fabrikë prodhimi birre, një karrierë guri gëlqeror. Në raste të tjera, lejet janë dhënë pa kontrata për depozitimin e mbetjeve, pa raporte për mbrojtjen nga zjarri apo pa dokumentacionin e konsultimit publik të kërkuar me ligj, siç ndodhi me një subjekt ku procesverbali pohonte se ishte zhvilluar një dëgjesë publike, ndërkohë që formulari përkatës mungonte plotësisht në dosje. Në një rast tjetër, një leje tip B hyri në fuqi përmes një mekanizmi “miratimi në heshtje”, pa asnjë akt firmosur nga ministria, praktikë që vetë auditi e cilëson në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ligjin nr. 10448.

Dimensioni financiar i këtij dështimi është po aq domethënës sa ai rregullator. Për shkak të mosrakordimit mes drejtorive të lejeve, monitorimit dhe financës brenda vetë agjencisë, tarifat vjetore që subjektet e licencuara duhet të paguajnë nuk janë planifikuar si të ardhura buxhetore për 2020 dhe 2021, duke krijuar një diferencë prej 13.04 milionë lekësh. Paralelisht, 840 subjekte kanë detyrime të papaguara prej 8.52 milionë lekësh, të grumbulluara që nga 2015-a deri në qershor 2020, pa asnjë listë të identifikuar debitorësh.

Baza e të dhënave mbi lejet aktive përmban 1,274 leje në format të vjetër dhe 590 vlerësime apo deklarata mjedisore, shumë prej të cilave mbeten formalisht në fuqi edhe kur subjekti është pezulluar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ose edhe kur për të njëjtin instalim është lëshuar më pas një leje e re, pa u revokuar zyrtarisht ajo e vjetër.

Po aq shqetësuese është ana e zbatimit të sanksioneve. Kur inspektorët e Agjencisë kanë vendosur gjoba deri në 1 milion lekë për shkelje të verifikuara, shkarkime ujërash të ndotur, mosdorëzim mbetjesh, komisioni i apelimit i ka shfuqizuar disa prej tyre, duke pranuar në vendim se shkeljet ekzistonin, por pa dhënë një arsyetim të fortë ligjor për anulimin e masës.

Nuk ka ende një listë publike të 840 subjekteve debitore ndaj Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, as një vlerësim të pavarur shëndetësor që të lidhë drejtpërdrejt të dhënat e shtretërve spitalorë me hartën e ndotjes. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk i ishte përgjigjur, në kohën e auditimit, kërkesës së vetë Agjencisë për një bazë të dhënash të përbashkët mbi debitorët.

Ndërkohë, planet vjetore dhe mujore të inspektimit rezultojnë të pjesshme dhe pa asnjë analizë risku në përzgjedhjen e subjekteve që kontrollohen, çka do të thënë se sistemi nuk është i orientuar drejt atyre që shkaktojnë dëmin më të madh, por funksionon kryesisht në mënyrë rutinore.

Ligje evropiane, zbatim i pjesshëm

Shqipëria ka transpozuar pjesën më të madhe të kuadrit ligjor evropian për cilësinë e ajrit dhe të ujit: Direktivën 2008/50/BE, ligjin nr. 10431/2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”, ligjin nr. 162/2014 “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit”, Strategjinë Kombëtare për Cilësinë e Ajrit të vitit 2014 dhe Planin Kombëtar të Menaxhimit të Cilësisë së Ajrit të vitit 2019. Për ujërat rekreativë dhe ata të pijshëm zbatohen VKM nr. 797/2010 dhe VKM nr. 379/2016, të krahasueshme me standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të FAO-s.

 
Problemi, siç e formulon vetë njëri prej raporteve, nuk është mungesa e legjislacionit, por fakti që “përafrimet e legjislacionit… duhet të jenë të zbatueshme në praktikë, në mënyrë që të mos humbasin qëllimin për të cilin janë krijuar… dhe të mos mbeten të shtypura thjesht në letër.”

Raportet vjetore të Komisionit Evropian për Kapitullin 27 përsërisin këtë vërejtje me vazhdimësi që prej vitesh: rrjet monitorimi i pamjaftueshëm, të dhëna jo në kohë reale, strategji ende të pazbatuara plotësisht.

Pasojat e këtij kombinimi, ekspozim i lartë plus mbikëqyrje e dobët, bien mbi qytetarët. Banorët e lagjeve përgjatë korridoreve me trafik të dendur në Tiranë jetojnë me zhurmë mbi 60 decibelë ditën dhe shpesh mbi 45 natën, nivele që lidhen mjekësisht me çrregullime gjumi dhe rrezik më të lartë kardiovaskular afatgjatë. Fëmijët dhe të moshuarit, më të ndjeshëm ndaj grimcave të imëta, janë grupi më i ekspozuar gjatë episodeve dimërore si ai i Rrugës së Kavajës.

Në komunitetet pranë minierave apo impianteve që kanë marrë leje pa vlerësim të plotë të ndikimit, rreziku mjedisor mbetet i padokumentuar zyrtarisht, dhe për rrjedhojë, i padukshëm në statistikat kombëtare. Bizneset që respektojnë procedurat e plota, ndërkohë, konkurrojnë në kushte të pabarabarta me ato që marrin leje me dokumentacion të mangët ose që shpëtojnë nga gjobat përmes apelimit.

Ajo që tri raportet vendosin bashkërisht mbi tavolinë është një pyetje e vetme, e drejtpërdrejtë: sa kuptim ka të kërkosh zbatim më të rreptë të standardeve mjedisore nga qytetarët dhe bizneset, kur institucioni ligjor përgjegjës për administrimin e këtyre standardeve, nga lejet e para deri te gjobat e fundit, nuk ka arritur ende të vendosë rregull mbi bazën e vet të të dhënave dhe mbi arkëtimin e detyrimeve që vetë ligji i akordon.

Përgjigje se si do të veprojnë tani Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe bashkitë kryesore ndaj këtyre gjetjeve, nëse do të ndiqen rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, nëse do të rishikohen vendimet e komisionit të apelimit, dhe nëse rrjeti i matjes do të zgjerohet përtej shtatë stacioneve ekzistuese, ende nuk ka. /ACQJ

Të fundit