Flash News

Ditari i Opozitës

Boçi në Kuvend: Raporti për reformën territoriale është i paligjshëm, nuk ka asnjë vlerë ligjore

Seanca plenare e Kuvendit është shoqëruar me debate të forta lidhur me raportin e Komisionit për Reformën Territoriale. Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, akuzoi mazhorancën për shkelje të rregullores së Kuvendit, duke pretenduar se raporti është futur në rendin e ditës pa u miratuar më parë nga komisioni përkatës.

Nga foltorja e Kuvendit, Boçi deklaroi se mbledhja e fundit e komisionit nuk prodhoi asnjë dokument zyrtar, pasi rendi i ditës nuk u miratua për shkak të mungesës së dakordësisë mes palëve.

“Komisioni nuk kishte produkt. Çfarë produkti ke marrë ti në shqyrtim në Konferencën e Kryetarëve? Ku e shpike? E kishe në xhep të madh apo në xhep të vogël? Kush ta dha ty këtë produkt?”, iu drejtua ai Peleshit.

Deputeti demokrat argumentoi se, sipas kalendarit zyrtar të punës së komisionit, procesi për reformën territoriale nuk ka përfunduar ende. Sipas tij, janë parashikuar ende dëgjesa publike në qarqe, konsultime me institucione ndërkombëtare, sondazhe dhe takime me grupet e interesit, çka do të thotë se raporti nuk mund të konsiderohet përfundimtar.

Boçi akuzoi gjithashtu mazhorancën se ka anashkaluar konsultimin me deputetët, pushtetin vendor dhe qytetarët për propozimet e reja të ndarjes administrative.

“Kë pyetët ju? Pyetët deputetët tuaj? Qytetarët pyetët? Kryetarët e bashkive? Njerëzit tuaj janë kundër ndarjes që ju propozoni. Janë për shtimin e numrit të bashkive sepse duan shërbim dhe përfaqësim”, u shpreh ai.

Në përfundim të fjalës së tij, Boçi i bëri thirrje mazhorancës të tërhiqet nga shqyrtimi i raportit në seancë, duke këmbëngulur se dokumenti nuk respekton procedurat parlamentare.

“Hiqni dorë nga ai raportim në seancë, sepse nuk ka vlerë ligjore”, përfundoi deputeti demokrat.

Të fundit