Flash News

KRYESORE

Mirror rrëzon mitin e "Maldiveve të Europës": Shqipëria e fundit në Europë për cilësinë e ujërave

Shqipëria është renditur si vendi me ujërat më të ndotura për larje në Europë, sipas një analize të publikuar nga revista britanike Which?, e cila bazohet në 22.289 raporte të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA) për cilësinë e ujërave në plazhe.

Studimi, siç shkruan "Mirror", vlerësoi cilësinë e ujërave të larjes në vendet evropiane, duke analizuar përqindjen e plazheve të klasifikuara si me cilësi "të shkëlqyer" ose "të dobët". Edhe pse 96% e plazheve në Bashkimin Evropian plotësojnë standardet minimale të cilësisë, Shqipëria u rendit e fundit, me vetëm 16% të ujërave të larjes të vlerësuara si "të shkëlqyera".

Sipas analizës, 23% e plazheve shqiptare rezultuan me cilësi të dobët të ujit, çka, sipas "Which?", tregon praninë e niveleve të larta të baktereve fekale. Për krahasim, në Mbretërinë e Bashkuar vetëm 7% e plazheve u klasifikuan në këtë kategori.

Revista shpjegon se ndotja e detit mund të shkaktohet nga derdhjet e ujërave të zeza ose rrjedhjet nga aktivitetet bujqësore, të cilat mund të çojnë në praninë e baktereve si E. coli dhe enterokokët intestinalë. Këta ndotës mund të shkaktojnë infeksione të lëkurës, syve dhe veshëve, si edhe probleme gastrointestinale, përfshirë diarre dhe të vjella, veçanërisht te fëmijët dhe të moshuarit.

Artikulli thekson se, pavarësisht se Shqipëria është promovuar vitet e fundit si "Maldivet e Europës", shumë turistë kanë ndarë në rrjetet sociale përvoja negative nga plazhet shqiptare.

Një përdorues i TikTok e cilësoi plazhin e Durrësit si "plazhin më të keq në Europë", duke publikuar pamje me mbeturina në rërë, ndërtesa të amortizuara dhe mungesë mirëmbajtjeje.

Po ashtu, në artikull përmenden edhe vlerësime në TripAdvisor për Ksamilin. Një video që krahasonte "pritshmëritë me realitetin" tregonte hamake të dëmtuara, mobilie të prishura dhe kosha të tejmbushur me mbeturina.

Sipas Mirror, plazhi i Ksamilit ka një vlerësim prej vetëm 2.7 yjesh në TripAdvisor. Një koment i publikuar në shtator 2025 pretendon se plazhi është privatizuar pothuajse tërësisht dhe se vizitorët duhet të paguajnë për të hyrë në zonat me shezlongë, të cilat përshkruhen si tepër të mbipopulluara.

Komente të tjera ankohen për numrin e madh të shezlongëve, mungesën e hapësirës së lirë në rërë dhe muzikën me volum të lartë, duke e cilësuar Ksamilin si një destinacion që nuk i përmbush pritshmëritë për qetësi dhe relaks.

Të fundit