Flash News

E-TJERA

Malltezi pas gjyqit për “Partizanin”: Prokurorët kanë gënjyer, dokumentet rrëzojnë akuzat

Pas përfundimit të seancës gjyqësore për dosjen “Partizani”, Jamarbër Malltezi, një nga të pandehurit në proces dhe dhëndri i kreut të PD-së, Sali Berisha, ka dalë para mediave duke kundërshtuar akuzat e ngritura nga Prokuroria.

Malltezi pretendoi se dokumentet e paraqitura prej tij gjatë procesit tregojnë se një pjesë e pronës së përfshirë në hetim rezulton ende e regjistruar si pronë shtetërore dhe se familja Alimehmeti nuk ka marrë kompensimin fizik që i takonte.

"Kjo pjesë edhe sot e kësaj dite figuron pronë shtet. Familja Alimehmeti nuk arriti të merrte kompensimin fizik sipas ligjit që ekzistonte atëherë. Prokurorët kanë gënjyer dhe kjo është pjesë e falsifikimeve që kemi denoncuar", tha Malltezi.

Duke iu referuar sipërfaqeve të pronës, ai tha se pesë familjet pronare zotëronin rreth 67 mijë metra katrorë, ndërsa ish-Klubi Sportiv “Partizani” mbulonte rreth 45 mijë metra katrorë, duke pretenduar se ende mbeten rreth 22 mijë metra katrorë të padorezuara.

"Ligji e detyronte shtetin ta dorëzonte pronën brenda 35 ditësh, ndërsa dorëzimi u bë vetëm pas 9 muajsh. Kjo nuk tregon favorizim, por një vonesë të pajustifikuar. Po ashtu, në sallën e gjyqit Taulant Balla tha 12 gënjeshtra dhe askush nga prokurorët nuk ndërmori asnjë veprim për dëshmi të rreme", u shpreh ai.

Të fundit