Flash News

SPORT

Spanja shpërblehet me rekord pas triumfit në Botëror, miliona euro për federatën dhe lojtarët

Fitorja e Kupës së Botës 2026 i ka sjellë Spanjës jo vetëm trofeun më të rëndësishëm të futbollit, por edhe një përfitim të madh financiar.

Sipas mediave spanjolle, Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit (RFEF) pritet të marrë nga FIFA një shpërblim prej 50 milionë dollarësh, rreth 44 milionë euro, për triumfin në finalen ndaj Argjentinës. Kjo është shuma më e lartë e dhënë ndonjëherë për një kampion bote dhe tejkalon bonusin prej 42 milionë dollarësh që përfitoi Argjentina pas suksesit në Botërorin 2022.

Por të ardhurat e Spanjës nuk kufizohen vetëm te bonusi i FIFA-s. Suksesi në turneun më të madh të futbollit pritet të rrisë edhe më shumë vlerën e markës së kombëtares, duke sjellë më shumë interes nga sponsorët dhe partnerët ndërkombëtarë.

Një pjesë e konsiderueshme e shpërblimit do të shkojë edhe për futbollistët. Sipas marrëveshjes mes lojtarëve dhe federatës, 45% e bonusit të FIFA-s do të ndahet mes 26 lojtarëve të skuadrës. Kështu, secili prej tyre pritet të përfitojë rreth 756 mijë euro bruto, pa përfshirë marrëveshjet personale me sponsorë apo shpërblimet nga klubet ku aktivizohen.

Triumfi në Botëror pritet të ketë ndikim afatgjatë për futbollin spanjoll, duke e forcuar edhe më shumë pozicionin e kombëtares si një nga markat më të fuqishme sportive në botë.

Të fundit