Flash News

Rajoni

Tragjedi në Maqedoninë e Veriut, gjenden të pajetë tre shqiptarë nga Kosova të raportuar të zhdukur

Një ngjarje tragjike ka tronditur Maqedoninë e Veriut, ku tre shtetas shqiptarë nga Kosova, të cilët ishin raportuar të zhdukur prej dy ditësh, janë gjetur të pajetë brenda një automjeti të aksidentuar.

Sipas autoriteteve maqedonase, automjeti tip "Mercedes" me targa gjermane është gjetur i përmbysur në aksin rrugor që lidh Pikëkalimin Kufitar Bllacë me Shkupin.

Ministria e Punëve të Brendshme bëri të ditur se policia u njoftua për automjetin rreth orës 22:35 të së shtunës. Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët konstatuan se brenda mjetit ndodheshin tre persona pa shenja jete, një burrë dhe dy gra. Vdekja e tyre u konfirmua nga ekipi i Ndihmës së Shpejtë.

Sipas hetimeve paraprake, disa orë para zbulimit të automjetit, një shtetas i Kosovës kishte denoncuar në polici zhdukjen e tre personave. Kontakti i fundit me ta ishte regjistruar mbrëmjen e 18 korrikut, kur ndodheshin në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar se si automjeti përfundoi i përmbysur jashtë rrugës. Deri më tani nuk janë bërë të ditura identitetet e viktimave.

Të fundit