E-TJERA

Kallëzim i ri për skandalin në Postën e Durrësit: Të hetohet pasuria e ish-shefes së Financave, ka pastruar para

Çështja e abuzimit të dyshuar me fondet në filialin e Postës Shqiptare në Durrës merr një tjetër zhvillim. Një kallëzim i ri penal është depozituar në polici, duke hapur një pistë të re hetimi për personat e përfshirë në dosje.

Kallëzimi është bërë nga Feta Mataj, bashkëshorti i ish-drejtoreshës së Filialit të Postës Durrës, Elisabeta Mataj, e cila ndodhet në masën e sigurisë “arrest në burg”. Ai pretendon se përgjegjësia për abuzimin financiar nuk duhet të kufizohet vetëm te bashkëshortja e tij dhe kërkon që të hetohet edhe ish-shefja e Financës, Valbona Duni.

Sipas kallëzimit, ka dyshime për një shtim të pajustifikuar të pasurisë së Dunisë dhe familjarëve të saj. Mataj kërkon verifikimin e burimit të të ardhurave dhe të aktivitetit ekonomik të familjes, duke ngritur dyshime për pastrim të mundshëm parash.

Në kallëzim pretendohet se familja Duni disponon automjete luksoze, apartamente në Durrës dhe Tiranë, si dhe biznese të krijuara vitet e fundit. Sipas pretendimeve të kallëzuesit, këto pasuri duhet të verifikohen nga organet e drejtësisë për të përcaktuar nëse kanë burim të ligjshëm.

Një tjetër element i përmendur në kallëzim lidhet me periudhën pas vitit 2020, kur Posta Shqiptare administronte fonde të lidhura me procesin e rindërtimit pas tërmetit. Mataj kërkon që të shqyrtohet nëse ka pasur shkelje apo bashkëpunim në menaxhimin e fondeve publike.

Ndërkohë, sipas policisë së Durrësit, kallëzimi pritet t’i kalojë Prokurorisë, e cila do të vlerësojë pretendimet dhe do të vendosë nëse do të nisë verifikime apo procedim penal.

Në dosjen e Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, Valbona Duni dhe një tjetër person, P. Dana, po hetohen pas kallëzimit të bërë nga Posta Shqiptare për veprën penale të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën, në bashkëpunim.

Të fundit