Ditari i Opozitës

Korreshi ironi me Manjën: Me 2 mln lekë të vjetra këndonte gjithë Myzeqeja, ku ikën biletat për Kanye West?

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka ironizuar në Komisionin e Ligjeve financimin prej 4.3 milionë eurosh nga qeveria për koncertin e Kanye West, duke e kthyer diskutimin në një seri batutash me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja.

Korreshi ngriti pikëpyetje për mënyrën se si u shpërndanë biletat e koncertit, ndërsa me nota humori tha se opozita nuk pati mundësi të ishte e pranishme.

"Pse ne nuk kishim bileta? Ne nuk na la partia, na i grisi biletat. Po ministria solli ndonjë biletë për ne apo ishin vetëm për Partinë Socialiste?", u shpreh deputeti demokrat.

Nga ana e tij, ministri Ulsi Manja iu përgjigj me humor, duke i thënë se në fakt kishte dëshirë të shkonte në koncert.

Korreshi vijoi ironitë, duke thënë se nuk e njihte artistin amerikan deri sa mësoi se shteti do të shpenzonte 4.3 milionë euro për koncertin e tij.

"Unë jam fshatar, jam ende te Luan Zhegu. Tani mora vesh kush ishte Kanye West kur dëgjova se do të merrte 4.3 milionë euro. Në Lushnjë me 2 milionë lekë të vjetra këndon gjithë Myzeqeja", tha ai.

Deputeti demokrat kërkoi gjithashtu sqarime mbi përdorimin e fondeve publike dhe mënyrën e shpërndarjes së biletave, duke ironizuar se askush nuk e di se ku përfunduan ato.

Të fundit