E-TJERA

Ish-kryebashkiaku i Divjakës Fredi Kokoneshi paraqitet në GJKKO

Ish-kryebashkiaku i Divjakës, Fredi Kokoneshi, është paraqitur këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku ka nisur seanca paraprake për dosjen penale në ngarkim të tij dhe tre të pandehurve të tjerë.

Kokoneshi akuzohet nga SPAK për veprën penale të "shpërdorimit të detyrës", ndërsa në të njëjtin proces gjyqësor janë marrë të pandehur edhe Dorjan Spaho, Andi Bullari dhe Ledio Xharo.

Sipas dosjes hetimore, ish-kryebashkiaku dhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë Divjakë dyshohet se kanë shkelur ligjin gjatë procedurave të dhënies me qira të disa pasurive publike.

Bëhet fjalë për rreth 67 hektarë tokë, të dhëna me qira për ndërtimin e impianteve fotovoltaike me afat shfrytëzimi 10-vjeçar. Sipas SPAK, sipërfaqet e përfshira në kontrata rezultonin të regjistruara në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës si tokë bujqësore, çka përbën edhe një nga elementët kryesorë të hetimit.

Në seancën paraprake pritet që gjykata të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim ose nëse do të merren vendime të tjera procedurale për dosjen.

Të fundit