E-TJERA

U transportua në spital pas zhytjes, humb jetën turistja 30-vjeçare në Vlorë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në bregdetin e Vlorës, ku një turiste rreth 30 vjeçe nga Finlanda ka humbur jetën pasi u ndje keq gjatë një zhytjeje në zonën e Radhimës.

Sipas të dhënave paraprake, e reja ishte pjesë e një grupi zhytësish që po eksploronin zonën detare ku ndodhet anija e mbytur "Spitaliers", një prej pikave më të njohura për zhytje në jug të vendit.

Gjatë zhytjes, turistja dyshohet se ka pësuar një komplikacion serioz shëndetësor, i cili mund të ketë qenë pasojë e mungesës së oksigjenit ose e një problemi tjetër mjekësor.

Shokët e grupit ndërhynë menjëherë, duke e nxjerrë nga uji dhe duke e transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës.

Burime spitalore bëjnë me dije se 30-vjeçarja mbërriti në gjendje kritike, me vështirësi të theksuara në frymëmarrje. Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor dhe trajtimit në terapi intensive, ajo nuk mundi t'u mbijetojë komplikacioneve.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.

Të fundit