E-TJERA

Atentati në Elbasan, dyshohet se objektivi ishte nipi i “Ot Kilës”

Hetimet për atentatin me armë zjarri në Elbasan, ku mbetën të plagosur tre persona, po orientohen drejt pistës së një sulmi të organizuar ndaj një objektivi të caktuar.

Sipas burimeve pranë grupit hetimor, dyshohet se shënjestra e autorit nuk ka qenë 19-vjeçari Biorgi Hoxha, i cili punonte si kamarier në lokalin ku ndodhi ngjarja, por një person i afërt me Kastriot Kilën, i njohur në Elbasan me nofkën “Ot Kila”.

Në sulmin e ndodhur pak ditë më parë mbetën të plagosur Armando Tomorri, Renaldo Mance dhe kamarieri i lokalit, Biorgi Hoxha. Hetuesit po verifikojnë rrethanat e plota të ngjarjes dhe lidhjet e mundshme mes personave të përfshirë.

Një tjetër detaj që ka dalë nga hetimet lidhet me mënyrën e veprimit të autorit. Sipas dyshimeve paraprake, ai kishte marrë masa për të fshehur identitetin, duke përdorur një maskë silikoni dhe një paruke me flokë të gjatë. Gjithashtu, raportohet se ka qenë i veshur me rroba të errëta dhe me doreza, elementë që përforcojnë dyshimet se sulmi ishte i planifikuar.

Emri i Kastriot “Ot” Kilës është përmendur edhe në dosje të mëparshme hetimore, ku ai është konsideruar një prej emrave të përfshirë në përplasjet mes grupeve rivale në Elbasan.

Në hetimet e viteve të fundit është përmendur edhe konflikti i dyshuar mes Kilës dhe Suel Çelës. Sipas dëshmive të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, Suel Çela dyshohet se kishte porositur në vitin 2022 eliminimin e Elton Kilës, por atentati nuk u realizua pasi Nuredin Dumani u plagos në Cërrik, ngjarje që më pas çoi në arrestimin e tij dhe bashkëpunimin me drejtësinë.

Të fundit