Ditari i Opozitës

Vokshi: Deklaratat e eurodeputetit fundosin Ramën, SPAK të nisë hetimet

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka reaguar pas deklaratave eurodeputetit Tomáš Zdechovský,  lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke i cilësuar ato si "ndër më të rëndat" të bëra ndonjëherë për qeverinë shqiptare.

Sipas Vokshit, deklaratat tregojnë se pengesa kryesore për integrimin europian të vendit është kryeministri Edi Rama.

"Eurodeputeti e tha qartë se Edi Rama jo vetëm nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, por akuzohet edhe për pastrim të parave të krimit dhe trafikut të drogës përmes familjarëve të tij. Këto janë deklarata tepër shqetësuese dhe skandaloze", u shpreh ajo.

Deputetja demokrate theksoi se, sipas saj, këto qëndrime nuk janë më vetëm akuza të opozitës, por shqetësime që po ngrihen edhe në institucionet europiane.

"Kjo është një 'bombë' politike që konfirmon jo vetëm denoncimet tona, por edhe shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë. Integrimi nuk është fasadë, por nënkupton shtet ligjor, luftë kundër korrupsionit dhe zgjedhje të lira", deklaroi Vokshi.

Ajo kërkoi që kryeministri Rama të japë shpjegime publike për deklaratat e eurodeputetit, duke theksuar se ato prekin drejtpërdrejt qeverinë dhe familjarët e tij.

Në përfundim, Vokshi i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme (SPAK) të nisë hetime për çështjen.

"SPAK duhet të reagojë menjëherë dhe të hetojë këto deklarata, pasi bëhet fjalë për akuza shumë serioze që kërkojnë transparencë dhe përgjegjësi institucionale", u shpreh deputetja demokrate.

 

Të fundit