E-TJERA

Detaje të reja nga atentati në Elbasan, kush ishin shënjestrat dhe si u plagos kamarieri 19-vjeçar

Të tjera detaje kanë dalë në pah nga atentati me armë zjarri që tronditi mbrëmjen e së dielës lagjen "Vullnetari" në Elbasan, ku tre persona mbetën të plagosur.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se objektiv i sulmit dyshohet të kenë qenë Armando Tomorrica dhe Renaldo Mance. Ndërkohë, 19-vjeçari Biorgi Hoxha, i cili punonte si kamarier në lokalin ku ndodhi ngjarja, dyshohet se u plagos rastësisht gjatë të shtënave.

Sipas hetimeve paraprake, autori i dyshuar kishte pasur më herët mosmarrëveshje me Tomorricën dhe Mancen. Pikërisht ky konflikt dyshohet se është bërë shkak për sulmin me armë.

Nga rindërtimi i ngjarjes rezulton se dy të rinjtë ishin ulur në verandën e lokalit së bashku me kamarierin, kur autori është afruar pranë tavolinës. Fillimisht ai është përfshirë në një debat verbal me ta, ndërsa pak çaste më vonë ka nxjerrë armën dhe ka hapur zjarr, duke plagosur të tre personat.

 

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, ekspertët e Policisë Shkencore kanë gjetur dhe sekuestruar gjashtë gëzhoja, të cilat do t'i nënshtrohen ekspertizës balistike për të ndihmuar në identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Tre të plagosurit u transportuan fillimisht në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ku morën ndihmën mjekësore. Burime spitalore bëjnë me dije se ata janë jashtë rrezikut për jetën dhe janë larguar nga spitali pas trajtimit.

 

Ndërkohë, autori i dyshuar vijon të jetë në arrati. Policia e Elbasanit ka intensifikuar kontrollet për lokalizimin dhe arrestimin e tij, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të atentatit.

Të fundit