Flash News

E-TJERA

Shqiptarët në shesh për hallet, Gonxhja në hall për JLo-në

Kostot e larta të jetesës, çmimet stratosferike të ushqimeve të shportës, pamundësia për të blerë një shtëpi, mjetet primitive për zjarret, shëndetësia me para në dorë, boshatisja e vendit dhe shumë probleme të tjera, duket se nuk janë në axhendën e qeverisë.

Ehe pse për 52 ditë, qytetarët kanë qëndruar në shesh duke i renditur qeverisë çdo ditë arsyet se pse duhet të largohet, shqetësimi kryesor i Ramës dhe socialistëve mbeten koncertet e artistëve të huaj.

Pas polemikave për 4.3 milionë eurot e akorduara nga qeveria për koncertin e Kanye West, ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja,  cili u angazhua me zell të madh në shitjen e biletave për Ye, zbuloi se edhe Jennifer Lopez ishte në planet për të mbajtur një koncert në Tiranë. 

Sipas tij, projekti nuk u realizua pasi artistja kërkoi një garanci prej 2 milionë eurosh në rast se koncerti do të ndikohej nga protestat.

“E kemi refuzuar për momentin se kërkonte 2 milionë euro garanci nëse do të ketë protesta. Nuk ia japim dot këtë garanci”, tha Gonxhja.

Deklarata erdhi gjatë përplasjes me kryetaren e Komisionit të Kulturës, Ina Zhupa, e cila i kërkoi llogari për fondin 4.3 milionë euro që qeveria akordoi me urgjencë për koncertin e Kanye West. Deputetja demokrate ngriti pikëpyetje mbi "urgjencën" e këtij financimi, duke argumentuar se fondet publike mund të ishin përdorur për prioritete të tjera.

“Keni dhënë 4.3 mln euro për një koncert privat kur kishit premtuar që nuk do të jepnit asnjë lekë. Si e konceptoni ju urgjencën e një koncerti të parashikuar? Urgjencë ishte mos shitja e biletave? Cila ishte nevoja për t’u dhënë këto para? Ku është logjika e urgjenca e një koncerti privat? Na sqaroni ku janë ato 100 milionë eurot që do të na vinin për turizmin? Ju paratë i keni dhënë, supozoni sikur parlamenti nuk e miraton, çfarë ndodh z. Gonxhe, do ua kthejë Kanye West?”

Nga ana tjetër, Gonxhja mbrojti vendimin e qeverisë, duke argumentuar se organizatorët fillimisht kishin planifikuar ta vetëfinanconin koncertin, por situata ndryshoi kur shitja e biletave dështoi.

“Administrata ka vepruar sipas aktit normativ, menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Koncerti vjen si një nismë e konsultuar me qeverinë shqiptare prej 1 viti, dhe në fillim të këtij viti është marrë një informacion që nëse do ishte e mundur nga turi i Kanye West, do të jepnim mbështetjen tonë. Në fillim viti ne i kemi shprehur mbështetjen tonë promotorit për organizimin e këtij eventi. Mendohej nga promotorët që shitja e biletave do të ishte e garantuar, dhe mbështetja jonë duhet të ishte për aspektet e tjera.”

Kur Zhupa e vendosi përballë faktit se sot, Shqipëria nuk ka akoma avionë për të fikur zjarret, por vetëm lopata e kazma, Gonxhja i quajti “moral” dhe “hipokrizi”.

Madje, ministri u shfaq më shumë i shqetësuar për imazhin që do të krijohej në rast anulimi, se sa për ato milion euro që u tërhoqën nga fondi i emergjencës.

“Ishte në rrezik mosorganizimi i eventit për arsye se eventi nuk kishte garantuar ecuri në vetëfinancimin e eventit. Një event nuk financohet vetëm nga biletat, financohet nga një sponsor etj. Ishte e paparashikuar situata. Ne nuk e kemi luksin të krahasohemi me tregjet e huaja ku është anuluar koncerti. Nuk jemi as Italia, as Mbretëria e Bashkuar apo Polonia.”

Kështu, ndërsa qytetarët kërkojnë zgjidhje për çmimet, pagat, strehimin, shëndetësinë, zjarret dhe emigrimin, në tryezën e qeverisë vazhdojnë të dominojnë koncertet milionëshe dhe garancitë për yjet e muzikës botërore. Për shqiptarët, emergjenca mbetet mbijetesa; për qeverinë, duket se emergjenca është të mos dështojë spektakli.

Të fundit