Flash News

E-TJERA

Depresioni i verës: Pse disa njerëz ndihen më keq në muajt e nxehtë?

Vera shpesh lidhet me pushime, udhëtime dhe më shumë kohë jashtë, por për disa persona kjo stinë mund të shoqërohet me një gjendje krejt të kundërt: trishtim, ankth dhe mungesë energjie.

Ekspertët e shëndetit mendor e përshkruajnë këtë si depresion sezonal të verës, një formë e çrregullimit afektiv sezonal (SAD), ku simptomat shfaqen gjatë muajve të ngrohtë dhe mund të largohen me ardhjen e stinëve të tjera.

Sipas psikologut klinik Adam Borland, ndikimi i verës në shëndetin mendor lidhet me një kombinim faktorësh biologjikë dhe ndryshimesh në përditshmëri. Temperaturat e larta mund të shkaktojnë lodhje fizike dhe mendore, ndërsa ditët më të gjata mund të prishin ritmin e gjumit.

Edhe ndryshimi i rutinës, për shkak të pushimeve, udhëtimeve apo një orari më të çrregullt, mund të ndikojë te humori i disa personave.

Shenjat më të zakonshme të depresionit të verës përfshijnë ankthin, nervozizmin, pagjumësinë, ndjesinë e tensionit, mungesën e motivimit, lodhjen, izolimin social dhe uljen e oreksit.

Ndryshe nga forma më e njohur e depresionit sezonal që shfaqet në dimër dhe shpesh shoqërohet me shtim të oreksit, gjatë verës disa persona përjetojnë humbje oreksi dhe vështirësi për të ruajtur energjinë.

Për të menaxhuar këto simptoma, specialistët sugjerojnë ruajtjen e një rutine të qëndrueshme gjumi, shmangien e temperaturave ekstreme, monitorimin e ndryshimeve emocionale dhe kufizimin e kohës në rrjetet sociale.

Megjithatë, nëse ndjenjat e trishtimit, ankthit apo mungesës së energjisë ndikojnë në jetën e përditshme, marrëdhëniet apo punën, rekomandohet kërkimi i ndihmës nga një profesionist i shëndetit mendor.

Depresioni sezonal, përfshirë atë që shfaqet gjatë verës, është një gjendje e trajtueshme përmes psikoterapisë, trajtimeve të përshtatura dhe ndryshimeve në stilin e jetesës.

Të fundit