Flash News

E-TJERA

Vrasje dhe grup i strukturuar kriminal, SPAK mbyll hetimet për dosjen “Metamorfoza”

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për një prej fraksioneve të dosjes “Metamorfoza”, duke çuar drejt fazës së gjykimit procedimin penal ndaj nëntë personave të akuzuar për përfshirje në aktivitete të krimit të organizuar.

Mes personave për të cilët ka përfunduar hetimi janë Ervis Martinaj, Denis Bajri, Klaodor Hakaj, Prekë Kodra, Aleks Ndreka, Bardhyl Mavraj, Eljon Hato, Arsad Bashli dhe Nuredin Dumani. Disa prej tyre vijojnë të jenë në kërkim, pasi masat e sigurisë të vendosura ndaj tyre nuk janë ekzekutuar ende.

Hetimi është drejtuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Bledar Maksuti, të cilët kanë përfunduar fazën paraprake të procedimit dhe kanë depozituar dosjen në Gjykatën e Posaçme.

Nuredin Dumani, i cili është pjesë e këtij procedimi, ndodhet aktualisht në burg dhe mban statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Ai po përballet njëkohësisht edhe me një proces tjetër gjyqësor në kuadër të megaoperacionit “Plumbi i Artë”.

Sipas SPAK, të pandehurit akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, mes tyre vrasje me paramendim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, kryerje veprash penale në kuadër të organizatës kriminale, sigurim të kushteve për kryerjen e vrasjeve, si dhe prodhim e mbajtje pa leje të armëve, lëndëve shpërthyese dhe municionit.

Pas depozitimit të akteve në GJKKO, pritet të hidhet shorti për caktimin e gjyqtarit të seancës paraprake, i cili do të vendosë nëse dosja do të kalojë për shqyrtim në themel.

Të fundit