Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha: Do ngremë në këmbë gjithë Shqipërinë, Rama do të japë llogari për atë që i ka bërë Thethit


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka bllokuar në mënyrë të njëanshme procesin për reformën territoriale, ndërsa paralajmëroi se opozita do të reagojë në të gjithë vendin.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se përfaqësuesit e PD-së në komision kanë përgatitur një projekt serioz për reformën territoriale, por sipas tij, Rama ndërhyri për ta ndërprerë procesin në momentin kur po ecën drejt finalizimit.

"Të gjithë Shqipërinë do e ngremë në këmbë. Nuk mund ta bëjë ky si çiflig personal të tij vendin", deklaroi Berisha.
Kreu i demokratëve u ndal edhe te ndërhyrjet në Theth, duke akuzuar Ramën për shkatërrimin e banesave të ndërtuara në pronat e banorëve.

"Shkoi dje dhe u kthye si kriminel në vendin e krimit. Atë që i ka bërë Thethit nuk ia ka bërë asnjë pushtues. Shkon dhe ua rrafshon shtëpitë e ndërtuara në trojet e veta. Për atë shkatërrim që ka bërë do të bëhet përgjegjës deri në minutën e fundit të jetës së tij, do të japë llogari", u shpreh ai.
Berisha hodhi poshtë edhe pretendimet se protestat kanë ndikuar negativisht në turizëm, duke deklaruar se anulimet e rezervimeve në Theth dhe në zona të tjera lidhen me veprimet e qeverisë.

"Çfarë turizmi? Ka me qindra ç'rezervime në Theth dhe në të gjitha anët për shkak të tij. Pastaj akuzon protestën", tha Berisha.
Në përfundim, kreu i PD-së u bëri thirrje qytetarëve të reagojnë ndaj asaj që ai e cilësoi si "veprime ekstreme" të qeverisë, duke theksuar se opozita do të vazhdojë betejën kundër reformës territoriale të propozuar nga mazhoranca.

Të fundit