Flash News

E-TJERA

Jashtë revoltë, brenda seancë: Kuvendi mbyll sesionin mes protestës qytetare

Protestuesit do të mblidhen edhe këtë të enjte, në orën 08:30, para godinës së Kuvendit, në ditën e 54-t të protestës së tyre, teksa brenda parlamentit zhvillohet seanca e fundit plenare e këtij sesioni.

Organizatorët kanë bërë të ditur se do të përsërisin kërkesën e tyre të panegociueshme për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa synojnë t'u përcjellin deputetëve mesazhin se qytetarët nuk ndihen të përfaqësuar nga përbërja aktuale e Kuvendit dhe kërkojnë reagim ndaj problemeve që i shqetësojnë.

Ndërkohë, seanca parlamentare pritet të përqendrohet te raportet vjetore të institucioneve të drejtësisë për vitin 2025. Në qendër të diskutimeve do të jetë raporti i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), i cili pritet të shoqërohet me debate politike mbi rezultatet e institucionit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu projektrezolutat për veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në rendin e ditës janë përfshirë edhe raportet e Avokatit të Popullit dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si edhe interpelanca dhe seanca pyetje-përgjigje me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.

Të fundit