Flash News

E-TJERA

Zbardhen 7 raste vjedhjesh në Durrës, arrestohet 29-vjeçari

Policia e Durrësit ka zbardhur shtatë raste vjedhjesh dhe tentativash për vjedhje të regjistruara gjatë muajit korrik 2026, ndërsa ka vënë në pranga autorin e dyshuar.

Në kuadër të hetimeve të zhvilluara nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, u arrestua shtetasi H. B., 29 vjeç, banues në Durrës.

Sipas policisë, 29-vjeçari dyshohet se më 3 korrik tentoi të vidhte në dy banesa në lagjen nr. 6 të qytetit. Më 14 korrik ai dyshohet se vodhi materiale të ndryshme në lagjen nr. 17, ndërsa një ditë më pas theu xhamin e automjetit të një shtetaseje në zonën "Sektor Rinia", duke marrë bizhuteri floriri dhe sende personale.

Hetimet kanë dokumentuar gjithashtu se më 18 korrik ai dyshohet se vodhi një shumë parash dhe produkte të ndryshme në një dyqan në fshatin Rrashbull. Më 20 korrik dyshohet se mori vegla dhe materiale pune nga një automjet në lagjen nr. 17, ndërsa më 21 korrik i vodhi portofolin një shtetaseje të huaj në autobus. Rasti i fundit i atribuar atij është vjedhja e një biçiklete në lagjen nr. 1 të Durrësit, më 22 korrik.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.

Të fundit