Flash News

Ditari i Maxhorancës

3500 firma kundër, por Balla nuk e përjashton shkrirjen e Bashkisë së Prrenjasit: Ka qenë bashkë me Librazhdin

Reforma Territoriale ka sjellë debate jo vetëm mes PS dhe PD, por edhe me qytetarët të cilët i kanë thënë “jo” skenarit të mazhorancës për shkrirjen e disa bashkive.

Në 48 orë, 3500 qytetarë të Prrenjasit kanë firmosur peticionin që kundërshton bashkimin me bashkinë e Librazhdit në kuadër të Reformës Territoriale. Megjithatë, Taulant Balla i pyetur nga gazetarët për kundërshtinë e banorëve, nuk e mohoi zbatimin e skenarit.

“T'ju them të drejtën, unë nuk shoh ndonjë problem sepse asgjë s'ka për të ndryshuar, në Prrenjas patjetër do jenë zyrat, do jenë të gjitha shërbimet, asgjë s'ndryshon, por bëhen bashki më të forta”, tha Balla.

Madje, deputeti socialist rikujtoi se Librazhdi dhe Prrenjasi kanë qenë një e vetme, duke e sjellë kështu si një argument përballë banorëve që tashmë kanë firmosur peticionin.

“Librazhdi dhe Prrenjasi kanë qenë bashkë. Pra, të gjithë e dinë që Librazhdi dhe Prrenjasi kanë qenë një njësi vendore, dikur quhej rrethi Librazhd. Pra të gjitha, 11 njësitë administrative që e përbënin ishin një pjesë, rrethi u shkëput. Por megjithatë t'i lëmë kohë vetes, dhe do u bëja thirrje miqve të mi atje që me qetësi”, deklaroi Balla.

Gazetarja i solli në vëmendje Ballës deklaratën e bërë për Mirditën kur tha se nuk do të bashkohet me asnjë bashki tjetër, por socialisti devijoi duke pretenduar se historia për dy krahinat, flet ndryshe.

“Historikisht, Mirdita nuk ka qenë as me Lezhën, as me... Librazhdi dhe Prrenjasi kanë qenë bashkë”, tha Balla.

Të fundit