Flash News

Kosova

Ambasadorët e BE-së vizitojnë veriun e Kosovës: Sundimi i ligjit të zbatohet njësoj

image (2).webp

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, së bashku me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, zhvilluan një vizitë në Zveçan, ku u takuan me kryetarët e katër komunave në veri për të diskutuar sfidat me të cilat po përballen në ushtrimin e mandateve të tyre pas zgjedhjeve lokale të tetorit 2025.

Sipas njoftimit të Zyrës së BE-së, drejtuesit e komunave ngritën një sërë problematikash që po ndikojnë në funksionimin e administratës lokale dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Mes tyre u përmendën mungesa e arkivave administrative, stafi i pamjaftueshëm dhe i pakualifikuar, kufizimet buxhetore, çështjet e pronësisë, si edhe, sipas tyre, ndërhyrja e nivelit qendror në aktivitetin e komunave.

Gjatë vizitës, diplomatët evropianë zhvilluan gjithashtu takime me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe anëtarë të kuvendeve komunale nga opozita, për të dëgjuar edhe këndvështrimet e tyre mbi situatën në veri të Kosovës.

Në reagimin e saj, Bashkimi Evropian ritheksoi angazhimin për forcimin e vetëqeverisjes lokale dhe procesit të decentralizimit në Kosovë, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

BE-ja bëri thirrje për përmirësimin e koordinimit mes nivelit lokal dhe atij qendror, rritjen e mbështetjes së ministrive për komunat dhe zbatimin e barabartë të parimeve të sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas Bashkimit Evropian, administratat komunale funksionale, transparente dhe llogaridhënëse janë thelbësore për ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët, forcimin e besimit në institucione dhe garantimin e stabilitetit e prosperitetit, veçanërisht në komunat veriore.

Në përfundim, BE-ja nënvizoi se do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në procesin e reformave dhe forcimin e vetëqeverisjes lokale, duke rikujtuar se mbetet partneri dhe donatori më i madh financiar i vendit.

 

Të fundit