Flash News

E-TJERA

Një sprint i fundit për investitorët para kufizimeve të BE-së?

A po përgatit qeveria terrenin për një sprint të fundit investimesh, përpara se të detyrohet të mbyllë dy prej mekanizmave që kanë lehtësuar ndërhyrjet në zonat e mbrojtura?

Ligji për Investimet Strategjike i lejon subjektet të paraqesin kërkesa deri më 31 dhjetor 2026. Ndërkohë, në kuadër të negociatave për anëtarësim, Shqipëria ka marrë përsipër përpara Bashkimit Evropian t’i japë fund këtij ligji dhe të shfuqizojë dispozitat e papajtueshme të ligjit nr. 21/2024 për Zonat e Mbrojtura. Bashkimi Evropian i ka lidhur të dyja çështjet me rrezikun e investimeve të mëdha turistike dhe industriale në territore me vlera të ndjeshme ekologjike.

Pikërisht në këtë periudhë kalimtare, më 22 korrik, qeveria ndryshoi rregullat për dhënien me qira, enfiteozë ose forma të tjera kontraktimi të pronës shtetërore. Vendimi lejon që pasuritë shtetërore të ndodhura në zona me përparësi për zhvillimin e turizmit apo në zona të mbrojtura mjedisore të propozohen për kontrata me tarifë simbolike prej 1 euro.

Në të njëjtën kohë, ai shkurton rrugën drejt privatizimit për qiramarrësit që kanë investuar mbi 750% të vlerës së truallit. Për pasuritë me sipërfaqe trualli mbi 500 metra katrorë, këto subjekte mund të kërkojnë nisjen e procedurës pa pritur kalimin e afatit trevjeçar nga nënshkrimi i kontratës.

Vendimi nuk ia kalon automatikisht pronën investitorit për 1 euro dhe as nuk e privatizon atë menjëherë. Megjithatë, ai zgjeron instrumentet për vënien e pronës shtetërore në dispozicion të investitorëve dhe shkurton një pjesë të rrugës drejt kalimit të saj në pronësi private.

Koha e miratimit e bën ndryshimin veçanërisht të rëndësishëm. Afati për aplikimet sipas ligjit për Investimet Strategjike po hyn në muajt e fundit, ndërsa Shqipëria duhet të rikthejë ligjin për Zonat e Mbrojtura në përputhje me standardet evropiane dhe t’i japë fund mekanizmit të investimeve strategjike, si pjesë e piketave të negociatave.

Në hapësirën mes rregullave që ende janë në fuqi dhe detyrimeve që pritet t’i kufizojnë ato, qeveria nuk po i frenon procedurat. Përkundrazi, po i lehtëson.

Kjo ngre një pyetje: a po krijohet një dritare e fundit për investitorët, përpara se negociatat me Bashkimin Evropian ta detyrojnë qeverinë të mbyllë ose kufizojë rrugët që vetë ka hapur?

Çfarë ndryshon vendimi?
Vendimi i 22 korrikut ndërhyn në VKM-në nr. 54, datë 5 shkurt 2014, që përcakton kriteret dhe procedurat për dhënien me qira, enfiteozë apo forma të tjera kontraktimi të pasurisë shtetërore.

Sipas shtesës së re, kur pasuritë shtetërore ndodhen në zona me përparësi për zhvillimin e turizmit ose në zona të mbrojtura mjedisore, propozimi për lidhjen e një kontrate me tarifë simbolike prej 1 euro i paraqitet Këshillit të Ministrave me bashkëpropozimin e institucionit që përfaqëson shtetin si pronar dhe atij përgjegjës për administrimin e zonës përkatëse.

“Kur pasuritë shtetërore përfshihen në zona me përparësi zhvillimin e turizmit apo në zona të mbrojtura mjedisore, propozimi i kontratës me tarifë simbolike 1 euro/kontrata, pranë Këshillit të Ministrave, bëhet me bashkëpropozim ndërmjet institucionit që ushtron të drejtën e përfaqësuesit të pronarit të pronës shtetërore dhe institucionit që ushtron veprimtarinë shtetërore përgjegjëse për këto zona, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në vendim.

Pra, pronat brenda zonave të mbrojtura nuk përjashtohen nga mekanizmi i kontratave 1 euro. Vendimi përcakton procedurën përmes së cilës mund të propozohet dhënia e tyre në përdorim.

Përpara lidhjes së kontratës, investitori duhet të vendosë një garanci bankare ose nga një shoqëri sigurimi në masën 2% të vlerës së investimit të marrë përsipër.

Parashikohen gjithashtu penalitete për mosrealizimin e angazhimeve: 50 mijë lekë për çdo vend pune të pahapur dhe 10% e vlerës së investimit të parealizuar. Nëse investimi nuk realizohet brenda gjashtë muajve për kontratat e qirasë ose brenda 12 muajve për kontratat e enfiteozës, institucioni shtetëror mund ta zgjidhë kontratën në mënyrë të njëanshme dhe të mbajë garancinë.

Një tjetër ndryshim prek privatizimin e pronave të marra me qira ose enfiteozë. Për pasuritë me sipërfaqe trualli mbi 500 metra katrorë, rregulli parashikon se subjekti mund të hyjë në procedurën e privatizimit pasi të ketë investuar mbi 150% të vlerës së truallit, të ketë respektuar kushtet e kontratës dhe të kenë kaluar të paktën tre vjet nga nënshkrimi i saj.

Vendimi krijon një përjashtim nga pritja trevjeçare. Kur investimi kalon 750% të vlerës së truallit, qiramarrësi mund të kërkojë nisjen e procedurës pa pritur përfundimin e këtij afati.

Investimi duhet të verifikohet dhe, nëse plotësohen kriteret, subjektit i lind e drejta të hyjë në procedurën e privatizimit me të drejtë parablerjeje. Pra, nuk kemi të bëjmë me privatizim automatik, por me heqjen e një pengese kohore që e shkurton ndjeshëm procedurën.

Ky ndryshim merr peshë tjetër kur shihet së bashku me afatet politike dhe ligjore që ka përpara qeveria. Ligji për Investimet Strategjike, i miratuar fillimisht si instrument i përkohshëm dhe i shtyrë disa herë, pranon aplikime deri më 31 dhjetor 2026.

Në dokumentin e pozicionit të përbashkët për Kapitullin 27, Bashkimi Evropian shprehet se ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe zgjatja e legjislacionit për investimet strategjike kanë ngritur shqetësime, pasi mundësojnë investime të mëdha turistike dhe industriale në zona të mbrojtura dhe rrezikojnë vlerat ekologjike dhe biodiversitetin e vendit.

Mes piketave mbyllëse është përfshirë si shfuqizimi i dispozitave të papajtueshme të ligjit nr. 21/2024, ashtu edhe përfundimi i legjislacionit të vitit 2015 për investimet strategjike.

Ministria e Mjedisit i ka përcjellë Komisionit Evropian draftin e parë për ndryshimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura. Sipas një kopjeje të siguruar më herët nga Citizens.al, dokumenti nuk prekte dispozitat kryesore që hapën rrugën për struktura turistike dhe aktivitete ekonomike brenda këtyre zonave. Ekspertët e Komisionit Evropian e refuzuan draftin dhe kërkuan hartimin e një versioni të dytë.

Kështu, ndërsa një pjesë e legjislacionit pritet të përfundojë dhe një pjesë tjetër duhet të rikthehet në përputhje me standardet evropiane, qeveria po lehtëson mekanizmat për vënien e pronës shtetërore në dispozicion të investitorëve.

Në mungesë të transparencës mbi pronat dhe projektet që mund të përfitojnë, nuk mund të thuhet se vendimi është miratuar për një investim të caktuar. Por koha e miratimit, përfshirja e zonave të mbrojtura dhe përshpejtimi i procedurave e bëjnë të vështirë që ai të lexohet vetëm si një ndryshim teknik./ Citizens Channel

Të fundit