Flash News

E-TJERA

Pas deklaratave të Ramës, GoFundMe për familjen Bulku arrin 150 mijë dollarë

Reagimi i qytetarëve ndaj rastit të File Bulkut dhe djalit të saj, Endit, i cili është me çrregullim të spektrit të autizmit, ka vijuar të rritet pas incidentit të ndodhur gjatë protestës pranë Kuvendit dhe deklaratave të kryeministrit Edi Rama për këtë ngjarje.

Një fushatë e hapur në platformën GoFundMe për mbështetjen e familjes ka mbledhur deri tani rreth 150 mijë dollarë, duke tejkaluar me diferencë objektivin fillestar të vendosur nga organizatorët.

Në reagimet e saj publike, File Bulku ka sqaruar se ditën e incidentit nuk kishte marrë pjesë në protestë. Ajo ka treguar se po kthehej në shtëpi pasi kishte shoqëruar djalin në terapi dhe, për shkak të bllokimit të rrugëve, përfundoi pranë zonës ku po zhvillohej tubimi, ku u prek nga spraji me piper i përdorur nga policia.

Bulku ka kundërshtuar edhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili tha se ajo ishte përdorur si "mburojë" gjatë protestës. Ajo i ka kërkuar kreut të qeverisë të përballet me të dhe të japë shpjegime për këto deklarata.

Komentet e Ramës kanë nxitur reagime të shumta në opinionin publik, pasi ai e cilësoi solidaritetin ndaj familjes si "hipokrizi" dhe pretendoi se nëna ishte sjellë pranë Parlamentit për t'u përdorur bashkë me djalin e saj.

Ndërkohë, organizata jofitimprurëse "Brandon Forever 22 Legacy", e cila ka iniciuar fushatën humanitare, thotë se fondet do të përdoren për përmirësimin e kushteve të jetesës së familjes, rikonstruksionin e banesës dhe mbulimin e shpenzimeve për trajtimin dhe kujdesin e Endit.

Të fundit