Flash News

SPORT

Ronaldo drejt lamtumirës nga Portugalia, sfida me Uellsin pritet të jetë e fundit me kombëtaren

Cristiano Ronaldo mund të jetë shumë pranë mbylljes së një prej kapitujve më të rëndësishëm të karrierës së tij. Sipas raportimeve të Goal.com, sulmuesi portugez po planifikon t’i japë fund aventurës me kombëtaren pas ndeshjes ndaj Uellsit, e cila është planifikuar të zhvillohet më 24 shtator në stadiumin “José Alvalade” në Lisbonë.

Zgjedhja e këtij stadiumi ka edhe një vlerë simbolike për 41-vjeçarin. Pikërisht aty nisi rrugëtimin e tij si futbollist me Sporting Lisbonën, përpara se të ndërtonte një karrierë që e vendosi mes emrave më të mëdhenj në historinë e futbollit.

Largimi i mundshëm i Ronaldos do të përkojë me fillimin e një cikli të ri për përfaqësuesen portugeze, tashmë nën drejtimin e trajnerit Jorge Jesus. Megjithatë, tekniku ka bërë të ditur se nuk synon të revolucionarizojë skuadrën menjëherë, duke theksuar se ndryshimet do të jenë graduale.

Nëse vendimi konfirmohet, Ronaldo do ta mbyllë karrierën ndërkombëtare me një bilanc mbresëlënës. Ai ka veshur fanellën e Portugalisë në 233 ndeshje dhe ka realizuar 146 gola, statistika që e mbajnë në krye të renditjes botërore si futbollisti me më shumë paraqitje dhe gola në nivel kombëtaresh.

Lamtumira e tij do të shënonte fundin e një epoke për futbollin portugez dhe ndërkombëtar, pas më shumë se dy dekadash në elitën e lojës.

Të fundit