Flash News

Ditari i Opozitës

Zhupa reagon pas deklaratave të Ramës: Cinizëm ndaj nënës me fëmijën autik, qeveria ka braktisur familjet

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me protestën e zhvilluar një ditë më parë, ku mes protestuesve ishte edhe një nënë me fëmijën e saj me autizëm.

Zhupa i cilësoi komentet e Ramës si “kulm të cinizmit”, duke akuzuar qeverinë se nuk ka treguar mbështetje të mjaftueshme për familjet që kujdesen për fëmijë me çrregullime të spektrit autik.

Sipas deputetes demokrate, shqetësimi kryesor nuk është protesta e qytetarëve, por mënyra se si, sipas saj, institucionet kanë reaguar ndaj tyre. Ajo dënoi ndërhyrjen e Policisë së Shtetit ndaj protestuesve, duke pretenduar se përdorimi i forcës ndaj qytetarëve tregon mungesë ndjeshmërie nga ana e qeverisë.

POSTIMI:

Kulmi i cinizmit!

Kur një nënë del në protestë me fëmijën e saj me autizëm, nuk e bën për politikë. E bën sepse nuk ia del më të jetojë, sepse shteti e ka lënë vetëm, sepse ndihma nuk mjafton dhe dinjiteti i është mohuar.

Nuk e morën në proteste as korbat e as sorrat. Paratë e saj dhe të mijëra familjeve sot në nevojë, i kanë marrë derrat e majmur të pushtetit, ata që prej vitesh qeverisin pa u interesuar për hallet e qytetarëve. Dhe pasi u kanë vjedhur të ardhmen, tani duan t’u mohojnë edhe të drejtën kushtetuese për të protestuar, duke i dhunuar me polici.

Vetë prania e asaj nëne me fëmijën e saj dëshmoi qartë se protestuesit nuk përbënin asnjë rrezik. Asgjë nuk e justifikon sjelljen brutale dhe të paligjshme të Policisë së Shtetit ndaj qytetarëve që ushtronin një të drejtë demokratike.

Një kryeministër që duhet të mbante përgjegjësi pse një nënë me një fëmijë me autizëm detyrohet të dalë në rrugë për t’u dëgjuar, zgjedh të sulmojë qytetarët që i dhanë mbështetje dhe ta etiketojë atë si të manipuluar. Kjo nuk është vetëm mungesë përgjegjësie; është humbje e plotë e ndjeshmërisë njerëzore.

Detyra e një shteti është të mbrojë më të pambrojturit, jo t’i poshtërojë ata. Kur një nënë me një fëmijë me autizëm ndihet e detyruar të protestojë për të kërkuar minimumin për një jetë me dinjitet, problemi nuk është protesta. Problemi është qeverisja. Problemi është Edi Rama që nuk do ta kuptojë që i ka ardhur fundi.

Të fundit