Flash News

E-TJERA

“Tragjedi mund të ishte parandaluar”, vëllai i Kosta Plakut rrëfen kërcënimet: Institucionet dështuan

 Screenshot_21-ezremove-900x600-1-750x500.png
Kosta dhe Belere Plaku janë përcjellë këtë të shtunë për në banesën e fundit, një ditë pas tragjedisë që tronditi fshatin Vidhisht të Roskovecit.

Çifti u qëllua me armë zjarri nga ish-dhëndri i tyre, Refit Buzi, i cili më pas mori me forcë ish-partneren e tij, Rozalinda Plakun.

Në një prononcim për Euronews Albania, vëllai i Kosta Plakut ka rrëfyer momentet e para pas krimit dhe ka ngritur akuza të forta ndaj institucioneve, duke theksuar se familja kishte denoncuar prej kohësh kërcënimet e përsëritura të autorit.

Ai tha se konflikti kishte nisur më shumë se një vit më parë dhe se Rozalinda kishte përfituar edhe urdhër mbrojtjeje, i cili, sipas tij, vijon të jetë në fuqi.

Sipas dëshmisë së tij, pavarësisht kallëzimeve dhe kërcënimeve të vazhdueshme, Buzi ishte lënë në arrest shtëpie dhe pas lirimit kishte vijuar t’i dërgonte mesazhe kërcënuese familjes.

“Kjo tragjedi nuk erdhi vetëm nga veprimet e një njeriu, por edhe nga dështimi për të zbatuar ligjin”, deklaroi ai, duke kërkuar që institucionet të marrin përgjegjësi për mënyrën se si u trajtuan denoncimet e mëparshme.

Vëllai i viktimës tha se ende nuk kishte mundur të fliste me Rozalindën, e cila ndodhet e traumatizuar pas pengmarrjes.

Ngjarja përfundoi me vrasjen e çiftit, ndërsa Buzi, pas lirimit të Rozalindës dhe rrethimit nga forcat e policisë, i dha fund jetës.

Të fundit