Flash News

E-TJERA

Meteorologia paralajmëron gusht përvëlues, temperaturat mund të arrijnë deri në 40°C

Pas disa ditësh me mot më të freskët dhe reshje shiu, vendi pritet të përballet sërish me temperatura të larta.

Meteorologia Rezarta Xhakollari, e ftuar në emisionin “Now”, tha se parashikimet afatgjata tregojnë se muaji gusht do të jetë shumë i nxehtë, me temperatura që mund të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, veçanërisht gjatë 10-ditëshit të parë.

Rënia e temperaturave gjatë fundjavës ishte vetëm një ndërprerje e përkohshme e valës së të nxehtit. Vlerat e regjistruara gjatë këtyre ditëve konsiderohen normale për stinën, por sipas parashikimeve, ato nuk do të zgjasin.

Muaji gusht pritet të dominohet nga mot i kthjellët dhe temperatura mbi mesataren sezonale, duke rikthyer kushtet e vapës ekstreme në pjesën më të madhe të vendit. Ditët më të nxehta parashikohen në fillim të muajit, kur termometri mund të shënojë deri në 40°C në disa zona.

Për shkak të temperaturave të larta, rekomandohet shmangia e ekspozimit në diell gjatë orëve të mesditës, konsumimi i sa më shumë lëngjeve dhe kujdes i shtuar për grupet më të rrezikuara, si të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.
 
 
 
 

Të fundit