Flash News

Bota

Skandali me provimet e studentëve të mjekësisë, ministri i Arsimit largohet nga detyra

Ministri i Arsimit i Indisë, Dharmendra Pradhan, ka njoftuar dorëheqjen, pas javësh protestash masive të studentëve për skandalin e publikimit dhe shitjes së provimeve të pranimit në fakultetet e mjekësisë.

Largimi i tij konsiderohet një fitore e madhe për lëvizjen rinore “Partia Janta e Buburrecave” (CJP), e cila organizoi demonstrata në mbarë vendin duke kërkuar përgjegjësi dhe reforma të thella në sistemin e provimeve. Kryeministri Narendra Modi nuk e ka pranuar ende zyrtarisht dorëheqjen.

Pas njoftimit të Pradhan, CJP bëri të ditur se do t’i japë fund protestave, pasi qeveria pranoi kërkesat kryesore të lëvizjes. Mes tyre janë kompensimi për familjet e studentëve që humbën jetën pas anulimit të rezultateve të provimeve, si dhe rishikimi i planit për reformimin e sistemit të testimeve.

Themeluesi i CJP-së, Abhijeet Dipke, përshëndeti dorëheqjen e ministrit, por theksoi se reforma e sistemit arsimor duhet të vazhdojë.

Ndërkohë, Partia Bharatiya Janata (BJP) në pushtet mbështeti Pradhan, duke e cilësuar dorëheqjen e tij një akt përgjegjësie dhe integriteti.

Protestat, të cilat nisën pas akuzave për rrjedhjen e provimeve të pranimit në universitetet mjekësore, u shoqëruan me përplasje mes demonstruesve dhe policisë. Lëvizja u shndërrua shpejt në një revoltë më të gjerë të të rinjve, të cilët kërkojnë më shumë mundësi punësimi, transparencë dhe reforma në arsim.

Kryeministri Narendra Modi reagoi për herë të parë këtë javë, duke deklaruar se autorët e skandalit janë arrestuar dhe se qeveria do të marrë masa për të mbrojtur të ardhmen e studentëve.

 

Të fundit