Flash News

E-TJERA

Ish-zv.ministri i Drejtësisë godet Ramën: Besimi nuk blihet me propagandë

Ish-zëvendësministri i Drejtësisë, Arben Isaraj, ka publikuar një reagim me tone kritike ndaj kryeministrit Edi Rama, duke vënë në qendër rëndësinë e besës, besimit dhe ndershmërisë në qeverisje.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Isaraj thekson se çdo shoqëri e qytetëruar ndërtohet mbi besimin, të cilin e cilëson si një kapital moral të pazëvendësueshëm. Sipas tij, institucionet, drejtësia, ekonomia dhe marrëdhëniet mes njerëzve funksionojnë vetëm kur mbështeten te fjala e mbajtur, ndershmëria dhe integriteti.

Ish-zv.ministri socialist nënvizon se në traditën shqiptare ky besim mishërohet te "besa", e cila, sipas tij, përfaqëson jo vetëm mbajtjen e fjalës së dhënë, por edhe përgjegjësinë morale për të qenë i vërtetë dhe i besueshëm.

"Besimi nuk fitohet me fjalë, por me karakter; nuk ndërtohet brenda një dite, por përmes një historie të gjatë ndershmërie dhe përgjegjësie. Ndërsa gënjeshtra mund të sjellë një përfitim të përkohshëm, ajo lë plagë të thella në marrëdhëniet njerëzore dhe cenon integritetin moral të individit", shkruan Isaraj.

Ai shton se në një kohë kur informacioni qarkullon me shpejtësi, ruajtja e besës dhe besimit mbetet një detyrë etike thelbësore.

“Besa dhe besimi janë si qelqi: një gënjeshtër i thyen, por nuk i kthen më si ishin”.
Çdo shoqëri e qytetëruar ndërtohet mbi një kapital moral të padukshëm, por të pazëvendësueshëm: besimin.
Institucionet, ekonomia, drejtësia, familja dhe marrëdhëniet ndërpersonale funksionojnë vetëm atëherë kur individët besojnë te fjala, ndershmëria dhe integriteti i njëri-tjetrit.

Në kulturën shqiptare ky besim mishërohet në një nocion të veçantë etik – besën, e cila përfaqëson jo vetëm mbajtjen e fjalës së dhënë, por edhe përgjegjësinë morale për të qenë i vërtetë dhe i besueshëm.

Thënia popullore me natyrë ndërkombëtare: “Besa dhe besimi janë si qelqi: një gënjeshtër i thyen, por nuk i kthen më si ishin” përmbledh një nga të vërtetat më të rëndësishme të etikës njerëzore (Aristoteli, Publilius Syrus, Konfuci, Kanti, Kanuni i Lekë Dukagjinit).
Besimi nuk fitohet me fjalë, por me karakter; nuk ndërtohet brenda një dite, por përmes një historie të gjatë ndershmërie dhe përgjegjësie.

Ndërsa gënjeshtra mund të sjellë një përfitim të përkohshëm, ajo lë plagë të thella në marrëdhëniet njerëzore dhe cenon integritetin moral të individit.

Në një botë ku komunikimi është i menjëhershëm dhe informacioni qarkullon me shpejtësi, ruajtja e besës dhe e besimit mbetet një detyrë etike me rëndësi të veçantë.

Vetëm mbi themelin e së vërtetës, ndershmërisë dhe përgjegjësisë mund të ndërtohen marrëdhënie të qëndrueshme, institucione të besueshme dhe një shoqëri e drejtë.

Si qelqi i pastër, besimi duhet të ruhet me kujdes, sepse një çarje e vogël mund të mos zhduket kurrë plotësisht.”, shkruan Arben Isaraj.

 

 

Të fundit