Flash News

KRYESORE

Kur ‘Besa’ nuk bind as të majtët: Kush i doli kundër ‘Besës’ së Ramës?

Në mbledhjen e grupit parlamentar dhe qeverisë, të thirrur dy ditë më parë, Rama shpalosi “Besën” të ashtuquajturin dokument strategjik, që sipas tij, do të shënojë një kthesë në mandatin e tij të katërt.

Dokumenti i ideuar nga Rama është konceptuar mbi bazën e besës, pasi sipas tij, vendimet e qeverisë nuk duhen të perceptohen nga qytetarët si thyerje në besë.

Por, menjëherë pas prezantimit, “Besa” e Ramës nuk u mirëprit nga disa ish-ministra e ish-deputetë të PS, të cilët e shohin “Besën” si propagandën e radhës, në një kohë kur tashmë, besimi mbi qeverisjen, mbetet një koncept inekzistent.

Marjana Koçeku – Besa është kontratë natyrore

Për Marjana Koçekun, e cila braktisi grupin parlamentar të PS pas nisjes së protestave, besa nuk është një një slogan politik, por një kontratë e pashkruar.

Si e tillë, Koçeku thekson se besën nuk mund ta japë një njeri që shet tokën për kulla e që ka humbur lidhjen me natyrën e njerëzit.

"Flasin për besën njerëz që nuk ia kanë idenë çka asht besa… Besa asht nji kontratë e pashkrueme mes njerëzish, e tu qenë e pashkrueme, ajo asht kontratë thellësisht natyrore. Së dyti, ata që e shohin tokën veç si truall për kulla shumëkatshe e resorte, zor se munden me e kuptu këtë koncept që për ne malsorët asht jashtë mase i shenjtë. Sigurisht, besa mund të jepet edhe nëpër kulla luksoze e resorte, por nuk asht ma besë. Se këtë lloj bese deri tash e kemi pa kryesisht veç nëpër filmat me mafiozë dhe spekulantë financiarë. Dihet sesi përfundojnë", shkruan Koçeku.

Arben Isaraj – Besimi fitohet me karakter

Ish-zyrtari socialist Arben Isaraj e vendos theksin te kuptimi moral i besës dhe jo te përdorimi i saj si koncept politik.

Në reagimin e tij, Isaraj shkruan se "besa dhe besimi janë si qelqi: një gënjeshtër i thyen, por nuk i kthen më si ishin", duke nënvizuar se besimi ndërtohet përmes karakterit dhe jo përmes fjalëve.

"Besa dhe besimi janë si qelqi: një gënjeshtër i thyen, por nuk i kthen më si ishin. Besimi nuk fitohet me fjalë, por me karakter; nuk ndërtohet brenda një dite, por përmes një historie të gjatë ndershmërie dhe përgjegjësie”, shkruan Isaraj.

Ermelinda Meksi – Besa matet me llogaridhënien

Ish-ministrja socialiste Ermelinda Meksi, duke u ndalur te "Besa" e Ramës, theksin e vendosi te përgjegjësia e institucioneve për të mbajtur fjalën dhe për të dëshmuar përmes rezultateve konkrete.

Meksi nënvizoi se besimi i qytetarëve nuk ndërtohet vetëm përmes deklaratave apo dokumenteve strategjike, por përmes përmbushjes së angazhimeve.

"Besa nuk është thjesht një premtim për të ardhmen. Ajo matet me përmbushjen e angazhimeve, funksionimin e institucioneve dhe llogaridhënien", u shpreh Ermelinda Meksi.

Muharrem Meko: Besa kërkon përgjegjësi, jo vetëm fjalë

Edhe ish-kryetari i Partisë Socialiste në Korçë, Muharrem Meko, ka ngritur pikëpyetje mbi gjendjen e qeverisjes dhe raportin mes institucioneve dhe qytetarëve.

Meko ka kundërshtuar idenë se problemi kryesor i besimit të qytetarëve lidhet vetëm me administratën shtetërore.

"Më në fund ‘i modhi’ e paska kuptuar se Administrata na paska qenë shkaktarja e sherrnajës… dhe rebelimit të ‘Pelikanëve’!", ka shkruar ai.

Meko e cilëson administratën aktuale si një pasqyrë të mënyrës së qeverisjes, duke argumentuar se korrupsioni dhe mungesa e meritokracisë kanë dëmtuar besimin e qytetarëve.

"Korrupsioni galopant e kanë ulur tej mase besimin ndaj saj, e meritokracia në kufijtë e analfabetizmit ia kanë ulur kokën shqiptarit", vijon Meko.

Kështu, "BESA" e Ramës, e konceptuar si një përpjekje për të rikthyer besimin te qeverisja, ka hapur një debat edhe përtej përplasjes tradicionale mazhorancë-opozitë. Kritikët nga radhët e së majtës i kanë kujtuar kryeministrit se besimi i humbur nuk rikthehet me një dokument strategjik, por me ndryshime konkrete në mënyrën se si ushtrohet pushteti.

Të fundit