Flash News

KRYESORE

"29 mijë urgjenca kirurgjikale nga fillimi i pandemisë", Spitali i Traumës i përgjigjet PD-së, përgënjeshtron Manastirliun

Spitali i Traumës ka reaguar pas përplasjeve mes Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, dhe ish-deputetit demokrat, Bardh Spahia, rreth urgjencave kirurgjikale të kryera që nga muaji mars i 2020-ës, kohë kur Shqipëria hyri në pandemi, deri tani.

Përmes një deklarate zyrtare, Trauma sqaron palët se ishin 29 mijë e 100 pacientë që u paraqitën gjatë kësaj periudhe, dhe vetëm 3 mijë e 498 prej tyre u operuan.

Kujtojmë se, Spahia e akuzoi Manastirliun për mashtrim me shifrat, duke thënë se ajo lëshon budallallëqe të nivelit olimpik, pas deklaratave të saj se që nga fillimi i pandemisë te Trauma janë kryer 29 mijë urgjenca kirurgjikale.

Reagimi i Spitalit të Traumës:

Në vijim të kryerjes së misionit me të cilin është ngarkuar Spitali Universitar i Traumës si dhe në respekt të punës së palodhur të stafit të këtij spitali, sqarojmë opinionin publik se: Nga muaji Mars 2020, kohë në të cilën SUT u ngarkua që të presë e trajtojë jo vetëm urgjencat e lidhura me traumën, por edhe urgjencat e kirurgjisë së përgjithshme, urologjisë dhe kirurgjisë torakale, në urgjencën e këtij spitali janë paraqitur 29,100 pacientë, mesatarisht 161 pacientë në ditë. Prej tyre janë operuar 3498 (mesatarisht 580 pacientë/muaj).

Ne do të vijojmë ta bëjmë punën tonë me përkushtim e profesionalizëm, siç e kemi treguar gjatë situatës së vështirë të tërmetit dhe së fundi, gjatë situatës së epidemisë në vend.

Të fundit