Flash News

Ditari i Opozitës

BE fton partitë politike për dialog, por PD i vendos kushte qeverisë

BE fton partitë politike për dialog, por PD i vendos kushte

Bashkimi Evropian e shikon dialogun pozitë-opozitë si të domosdoshëm për të zgjidhur tema të rëndësishme të vendit. Ambasadori i unionit në Tiranë, Luigi Soreka sugjeroi se reforma zgjedhore mund të ishte një temë e mirë për të folur.

Ai shtoi se kontaktet mes qeverisë dhe aktorëve të tjerë politikë duhet të vazhdojnë në 5 javët në vijim përpara takimit të Brukselit.

“BE u ka kërkuar shumë shpesh partive politike shqiptare të përfshihen në dialog dhe të marrin pjesë në dialog, i cili duhet të nisë nga diçka specifike. Ndoshta kjo gjë specifike mund të jetë reforma zgjedhore. Reforma zgjedhore është e rëndësishme dhe e nevojshme, pasi do të sillte një gjë të rëndësishme për qytetarët e Shqipërisë, duke folur për zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre. Mbi 90 për qind e qytetarëve shqiptarë dëshirojnë që Shqipëria të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Këta 90 për qind i përkasin gjithë spektrit politik të shoqërisë shqiptare. Ndaj edhe gjithë politikanët duhet të përfshihen në këtë dialog” - tha Sroreca.

Por opozita komentoi për “Zërin e Amerikës”, se qeveria është e papërgjegjshme me krizën dhe zhvillon vetëm dialog të pasinqertë për interesa të ditës.

“Për Partinë Demokratike ka qenë dhe mbetet i papranueshëm një dialog i pasinqertë, që zgjidh situatën momentale, por që nuk ka në fokus interesin afatgjatë të qytetarëve dhe vendosmërinë e tyre për zbatimin në Shqipëri të standardeve euro-atlantike të nevojshme. Dialogu i sinqertë mund të nisë vetëm atëherë kur shkaqet e krizës të evidentohen qartë dhe qeveria të pranojë përgjegjësinë për situatën që ka krijuar në vend. Problemet në Shqipëri dhe kriza e thellë institucionale, politike dhe kushtetuese, nuk zgjidhen me reformën zgjedhore, edhe pse kjo e fundit është e nevojshme dhe duhet të realizohet” - tha Bardhi.

Kurse PS shprehu vullnetin e saj për dialog me opozitën, edhe pasi ajo u largua në shkurt nga parlamenti.

“Shembulli më i mirë i gatishmërisë tonë për dialog me opozitën është fakti se në Komisionin e Reformës i është lënë një karrige bosh edhe Partisë Demokratike për të ushtruar të drejtën e saj, për të bërë propozime.”, tha kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla për “Zërin e Amerikës”.

Të fundit