Flash News

KRYESORE

Beteja e fundit për Sirinë mund të shkaktojë katastrofën më të madhe humanitare; Assad pranë fitores së luftës 7 vjeçare

Populli sirian është pranë katastrofës më të madhe humanitare dhe këtë herë është qyteti i Idlib që rrezikon të përballet me një krizë të fuqishme njësoj si Alepo dhe Guta gjatë viteve të fundit.

Presidenti Bashar Al Assad është duke planifikuar një sulm të fuqishëm në Idlib për të marrë në kontroll të vetmen zonë strategjike që ndodhet në kontrollin e rebelëve. Por disa shtete, veçanërisht Turqia janë duke paralajmëruar për rrezikun që i kanoset civilëve ndaj një sulmi të mundshëm nga ushtria e Al Assad.

Një pjesë e konsiderueshme e Idlib është nën kontrollin e grupeve të lidhura me Al Kaedën, çka e ndërlikon edhe më shumë situatën.

Nëse Bashar Al Assad arrin të marrë në kontroll edhe zonën e Idlib, atëherë rikthimi i sundimit të tij në të gjithë Sirinë mund të jetë vetëm çështje kohe. Kjo do të thotë se fituesi i luftës civile që nisi në vitin 2011 do të jetë pikërisht Assad. Mbi 470 mijë persona kanë humbur jetën në këtë luftë.

Turqia

Më shumë se 3.5 milionë civilë janë të strehuar në qytetin Idlib, që ndodhet në kufi me Turqinë. Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan ka dërguar prej kohësh ushtrinë e tij në qytetin sirian për t’u ardhur në ndihmë forcave opozitare, Ushtrisë së Lirë Siriane.

Trupat turke janë fokusuar kryesisht në asgjësimin e forcave kurde që veprojnë gjithashtu në zonë, si dhe shihen si garanci për opozitën siriane në përballjen me Assad.

"Ka shqetësime se në Idlib do të ndodh sulm. Ne jemi duke bërë përpjekje për ta parandaluar këtë sulm”, u shpreh në Vjenë të Austrisë ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu. Ai theksoi se Ankaraja është në kontakt të vazhdueshëm me Moskën dhe Teheranin për të gjetur një zgjidhje mbi Idlib.

Assad, Rusia dhe Irani

Bashar Al Assad kërkon me çdo kusht që të marrë nën kontroll qytetin e Idlibit sepse në këtë mënyrë do e kishte shumë të lehtë kontrollin e të gjithë Sirisë, duke u shpallur fitues i luftës.

Me mbështetjen e Iranit dhe Rusisë, ushtria siriane nuk e ka të pamundur të vendosë nën kontroll këtë bastion të opozitës, ndonëse pasojat do të jenë fatale për popullatën civile.

Diskutimet midis faktorëve të përfshirë në këtë konflikt janë intensive, pasi beteja për Idlibin mund të fusë për herë të parë në luftë të drejtpërdrejtë Turqinë me Sirinë.

SHBA

Mediat perëndimore dhe OKB po paralajmërojnë për rrezikun e përdorimit të armëve kimike në Idlib. Uashingtoni ka shprehur shqetësim për lëvizjet e ushtrisë siriane, të cilat po i afrohen këtij qyteti dhe kanë rikthesuar se përdorimi i armëve kimike do të ishte kalim i vijës së kuqe.

Megjithatë, Moska ka nxituar të deklarojë se janë pikërisht amerikanët që po planifikojnë të organizojnë një sulm me armë kimike mbi civilët në Idlib, për të akuzuar më pas presidentin Bashar Al Assad.

Pas ardhjes në pushtet të Donald Trump, SHBA ka shtuar ndihmën ushtarake dhe financiare për luftëtarët kurdë, çka ka tensionuar marrëdhëniet edhe me Ankaranë. /Politiko.al

Të fundit