Flash News

Bota

Dënohet deklarata e ministrit izraelit për sulm bërthamor në Gazë

Dënohet deklarata e ministrit izraelit për sulm bërthamor në

Kina, Irani dhe disa shtete arabe kanë dënuar deklaratën e një ministri izraelit, i cili tha se hedhja e një bombe bërthamore në Rripin e Gazës ishte një opsion në luftën Izrael-Hamas, duke e quajtur këtë qëndrim si kërcënim për botën.

Në konferencën e së hënës në Kombet e Bashkuara, qëllimi i së cilës ishte krijimi i një zone pa armë bërthamore në Lindjen e Mesme, shumë ambasadorë dënuan dhe kritikuara deklaratat e bëra nga ministri i Trashëgimisë së Izraelit, Amihai Eliyahu, i cili më vonë i quajti deklaratat e tij si “metaforike”. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, shpejt hodhi poshtë deklaratat e tij dhe e pezulloi atë nga pjesëmarrja në takimet e Qeverisë.

Izraeli as nuk ka konfirmuar e as mohuar se ka aftësi bërthamore. Gjerësisht besohet se ky shtet ka armë bërthamore dhe një ish-punonjës i një reaktori bërthamor ka kaluar 18 vjet në burg, pasi ka publikuar detaje dhe fotografi të arsenalit të dyshuar bërthamor të Izraelit në një gazetë britanike më 1986.

Zëvendësambasadori i Kinës në OKB, Geng Shuang, tha se Pekini ishte i “tronditur” dhe i cilësoi deklaratat si “ekstremisht të papërgjegjshme” që duhen menjëherë të dënohen.

Ai u bëri thirrje zyrtarëve izraelitë të reagojnë ndaj deklaratës dhe të bashkohen në Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.

Geng tha se Kina është e gatshme të bashkohet me shtete të tjera për të punuar në krijimin e një zone pa armë bërthamore në Lindjen e Mesme.

Shefja për çarmatim në OKB, Izumi Nakamitsu, e cila bëri hapjen e konferencës, nuk e përmendi Izraelin. Por, ajo tha se “çdo kërcënim për të përdorur armë bërthamore është i papranueshëm”./ REL

Të fundit