Bota

Çmimet e karburantit “fluturojnë” pas tensioneve Izrael-Iran

Çmimet e karburantit “fluturojnë” pas tensioneve

Çmimet e naftës shënuan një rritje të ndjeshme të martën, ndërsa tregu i energjisë mbetet në gatishmëri maksimale për shkak të mundësisë së ndërprerjeve në furnizim, si pasojë e konfliktit mes Izraelit dhe Iranit.

Rritja e çmimeve të kontratave të naftës që nisi javën e kaluar po ndikon tashmë edhe në çmimet e karburantit në pikat e karburantit, shkruan CNN. Mesatarja kombëtare për benzinen normale u rrit me 3 centë të martën, duke arritur në 3.17 dollarë për galon, sipas të dhënave të AAA-së.

Në tregun e kontratave të naftës në SHBA, çmimet u rritën me 2.9% duke arritur në 73.90 dollarë për fuçi, duke e çuar naftën drejt nivelit më të lartë që prej janarit të këtij viti. Dita e hënë shënoi një rënie prej 1.7%.

Sulmet e paprecedenta të Izraelit ndaj Iranit javën e kaluar shkaktuan një rritje prej 13% të çmimit të naftës, rritja më e madhe javore që nga tetori 2022.

Frika kryesore mbetet se Irani mund të përgjigjet duke goditur infrastrukturën e eksportit të energjisë në Lindjen e Mesme, zonë që mbart rreth gjysmën e rezervave të naftës në botë.

Tregtarët po ndjekin me kujdes ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore kyçe që lidh Gjirin Persik të pasur menaftë me oqeanet e botës.

Rëndësia e ngushticës së Hormuzit u theksua edhe nga përplasja e një tanker nafte pranë kësaj zone. Sipas Qendrës së Informacionit Detar Bashkëpunues, një forcë ndërkombëtare detare po heton incidentin, i cili dyshohet të jetë “i lidhur me navigacionin dhe jo me sigurinë detare.”

Forca detare paralajmëroi se niveli i kërcënimit detar është “i lartë” dhe vuri në dukje interferencat e larta elektronike në rajon.

Çmimet e karburantit kanë filluar të rriten gradualisht ditët e fundit, duke u rritur me 5 centë për galon krahasuar me javën e kaluar, sipas AAA-së. Disa shtete amerikane kanë pësuar rritje më të ndjeshme, si Delaware (+17 centë), Indiana (+15 centë) dhe Maryland (+14 centë).

Megjithatë, çmimet në pikat e karburantit mbeten më të ulëta se mesatarja e një viti më parë, që ishte 3.45 dollarë për galon, dhe shumë larg rekordit të lartë prej 5.02 dollarësh që u shënua në qershor 2022.

 

Të fundit