Flash News

Bota

Lideri suprem i Iranit hedh poshtë komentet e Trumpit për propozimin për programin bërthamor

Lideri suprem i Iranit hedh poshtë komentet e Trumpit për propozimin

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, deklaroi se Teherani nuk ndjen asnjë presion për t’iu përgjigjur një propozimi amerikan për një marrëveshje që synon të kufizojë programin bërthamor të Iranit. Ai tha se komentet e presidentit amerikan, Donald Trump, për këtë çështje, gjatë vizitës së tij në rajonin e Gjirit Persik këtë javë, “nuk ia vlejnë të marrin përgjigje”.

Komentet e Khameneit më 17 maj erdhën një ditë pasi Trump tha se Uashingtoni kishte bërë një propozim dhe se Irani duhet të marrë një vendim për të shpejt.

“Ata kanë një propozim. Më e rëndësishmja, ata e dinë se duhet të veprojnë shpejt, përndryshe diçka e keqe — diçka e keqe do të ndodhë”, u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One pasi u largua nga Emiratet e Bashkuara Arabe më 16 maj.

Teherani këmbëngul se nuk ka marrë asnjë propozim. Trump ka kërcënuar me veprim ushtarak kundër objekteve bërthamore iraniane nëse nuk arrihet një marrëveshje, dhe tha gjatë turneut të tij katër-ditor në Lindjen e Mesme këtë javë se Shtetet e Bashkuara ishin “afër” një marrëveshjeje me Iranin.

Trump i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja shumëpalëshe e vitit 2015 për programin bërthamor të Iranit në vitin 2018, gjatë mandatit të tij të parë presidencial. Teherani dhe Uashingtoni rifilluan bisedimet bërthamore në prill, me ndërmjetësimin e Omanit.

Një raund i katërt bisedimesh u mbajt në Muskat më 10 maj dhe ndonëse të dyja palët kanë thënë se do të ketë një raund tjetër negociatash, nuk është caktuar ende ndonjë datë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha më 15 maj se Irani ishte “në prag” të zhvillimit të një arme bërthamore dhe se Uashingtoni po përballet me një moment kritik me Teheranin.

Irani, i cili po pasuron uranium në nivel afër atij për armë bërthamore prej 60 përqind, pretendon se programi i tij bërthamor është paqësor dhe thotë se është i gatshëm të ofrojë garanci për Shtetet e Bashkuara për të zbutur shqetësimet./ REL

Të fundit