Flash News
Atentat në Memaliaj, qëllohet me breshëri arme avokati
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Çfarë dimë (dhe nuk dimë) për koronavirusin, 'epideminë kineze'
Një lloj i ri virusi, që duket se ka origjinën në Kinë, po përhapet me shpejtësi dhe po kalon kufijtë. Ka më shumë se 4500 raste të konfirmuara në të gjithë botën dhe 106 vdekje të raportuara deri më 28 janar.
Ja çfarë dimë deri tani në lidhje me këtë virus, siç raportohet nga podcasti shkencor i përditshëm i NPR (National Public Radio), Short Wave.
Çfarë lloj sëmundje është kjo?
Përhapja shkaktohet nga një koronavirus. Koronaviruset e zakonshme njerëzore shkaktojnë simptoma të buta deri në mesatare të sistemit të sipërm të frymëmarrjes, përfshirë ftohjen e zakonshme, ndërsa llojet më të rënda mund të shkaktojnë pneumoni dhe vdekje. Emri i këtij lloj virusi vjen nga thumbat, e ngjashëm me kurorën, që ka në sipërfaqe- "korona" është latinisht për "kurorë".
Ky lloj virusi tani për tani quhet 2019-nCoV, që është shkurtim i "koronavirus i ri 2019". Ky është lloji i tretë i koronavirusit që njihet si shkaktar i simptomave të rënda te njerëzit. Dy të tjerët janë MERS dhe SARS.
Nga e ka prejardhjen?
Koronaviruset e kanë origjinën nga kafshët - si devetë, lakuriqët e natë dhe qelbësat- dhe zakonisht nuk janë të transmetueshme te njerëzit. Por herë pas here një koronavirus shpërhapet dhe mund të kalojë nga kafshët te njerëzit dhe më pas nga njeriu te njeriu, siç ndodhi me epideminë SARS në fillim të viteve 2000. (SARS nënkupton "sindromën e rëndë akute të frymëmarrjes.") Komisioni Kombëtar i Shëndetit i Kinës konfirmoi që 15 punëtorë të kujdesit shëndetësor janë infektuar, duke treguar që virusi mund të përhapet nga njeriu te njeriu.
Shumica, por jo të gjitha, nga rastet e para të njohura në dhjetor 2019 u gjurmuan në një treg kafshësh në qytetin kinez Wuhan dhe besohet se kanë ardhur nga kontakti me kafshë të gjalla që ishin infektuar. Që atëherë tregu është mbyllur. Wuhan është një qendër kryesore e logjistikës dhe transportit. Shtrihet rreth 500 milje në perëndim të Shangait dhe është shtëpia e më shumë se 11 milion njerëzve.
Cilat janë simptomat?
Virusi shkakton ethe si dhe simptoma të frymëmarrjes: kollë e thatë, vështirësi në frymëmarrje. Mund të shkaktojë diarre dhe dhimbje trupi. Simptomat në raste të rënda përfshijnë pneumoni, dështimi i veshkave dhe madje edhe vdekje, sipas Organizatës Botërore të Shëndetit.
A duhet të ekzaminohet dikush me ethe për koronavirusin Wuhan?
Simptomat e këtij infeksioni mund të shfaqen të njëjta me ato të një ftohjeje ose gripi, por për tani udhëzimet e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve sugjerojnë ekzaminimin vetëm të personave që kanë udhëtuar së fundmi në Wuhan ose të cilët kanë pasur kontakte të zgjatura me një person të infektuar me 2019-nCoV. Qendrat mund të konfirmojnë virusin me një test diagnostik që zhvillohet bazuar në sekuencën gjenetike të virusit që zyrtarët kinezë të shëndetit e morën dhe e bënë publik në 12 janar.
Kush rrezikon të infektohet?
Komiteti i Emergjencave i Organizatës Botërore të Shëndetit tha në një konferencë shtypi në lidhje me koronavirusin më 22 janar se gati tre të katërtat e rasteve kanë qenë te njerëzit mbi moshën 40 vjeç dhe se "ndër rastet që vdiqën - shumë kishin simptoma sëmundjesh të tjera" si sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti. Por ka raste të konfirmuara edhe për individë të rinj dhe të shëndetshëm.
Cilat trajtime rekomandohen për këtë virus?
Nuk ka trajtime specifike për virusin 2019-nCoV. Sugjerohet kujdes shtesë për të menaxhuar dhe lehtësuar simptomat. Nuk ka vaksinë të aprovuar të disponueshme për këtë virus.
Cilat janë vendet dhe rajonet e prekura?
Deri më tani, 18 vende kanë konfirmuar raste. Kina kontinentale raportoi më shumë se 4500 raste deri më 28 janar, përfshirë 106 vdekje. Të paktën 76 raste të tjera janë identifikuar në 17 vende të tjera, përfshirë ShBA, Kanada, Australi, Francë, Gjermani, Hong Kong, Japoni, Makau, Malajzi, Nepal, Singapor, Koreja e Jugut, Tajvan, Tajlandë dhe Vietnam.
Pesë raste janë raportuar deri më tani në ShBA. Rasti i parë në ShBA u raportua në 21 janar; një burrë që udhëtoi për në Kinë dhe filloi të përjetonte simptoma disa ditë pasi u kthye në shtëpi në Seattle më 15 janar. Rasti i dytë, një grua në Chicago, u konfirmua më 24 janar. Dy raste janë konfirmuar në Kaliforni dhe një në Arizona.
Si përhapet?
Zyrtarët shëndetësorë besojnë se virusi mund të kalohet nga një person në tjetrin përmes shkëmbimit të lëngjeve nga rrugët e frymëmarrjes, por ende nuk e dinë saktësisht se si. Rrug՞t e frymëmarrjes duket e mundshme sepse disa grup-raste janë vërejtur brenda familjeve, anëtarët e të cilëve kanë pasur kontakte të ngushtë me një person të infektuar. Ka të dhëna në Wuhan që virusi mund të përhapet nga një person te tjetri dhe më tej disa herë- mënyra se si një sëmundje si gripi përhapet. Kjo është diçka që zyrtarët e shëndetit global po vëzhgojnë në raste ndërkombëtare.
Sa serioz është?
Ky virus është "shumë infektiv", sipas Byrosë për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në Kinë. Por agjensia nuk e konsideron sëmundjen aq të fortë, sa ajo që shkaktoi shpërthimin e SARS në 2003. Rreziku për publikun e gjerë amerikan është "i ulët", sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve: Shumica e rasteve janë në Kinë, dhe kështu përhapja ndërkombëtare duket e kufizuar.
Çfarë po bëhet për të kufizuar përhapjen?
Zyrtarët qeveritarë në Kinë kanë ndaluar përkohësisht transportin për dhe nga Euhan-i me autobus, metro, traget, aeroplan dhe tren, sipas mediave shtetërore kineze. Të paktën 12 qytete të tjera kineze kanë udhëtime të kufizuara gjithashtu. Ndalimi i udhëtimit erdhi vetëm disa ditë para festës më të madhe në kalendarin kinez: Viti i Ri hënor. Qindra miliona njerëz udhëtojnë çdo vit gjatë këtij sezoni të festave, duke filluar nga 25 janari dhe duke u shtrirë në shkurt.
Aeroportet në të gjithë botën, përfshirë pesë në ShBA, kanë zbatuar procedura ekzaminimi për pasagjerët që vijnë nga zonat e prekura. Me 28 Janar, ShBA njoftoi se një total prej 20 aeroportesh do të fillojnë të kontrollojnë pasagjerët nga Kina.
Më 27 janar, QKPS dhe Departamenti i shtetit i SHBA rekomanduan që udhëtarët të shmangin të gjitha udhëtimet jo-thelbësore në Kinë.
Ku mund të marr informacionet më të fundit?
Organizata Botërore e Shëndetit ka një faqe në internet me lajme mbi virusin. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e Kinës ka një gjurmues të epidemisë.
Përkthimi: Politiko.al