Flash News

KRYESORE

“Dy paketat e Shqipërisë, më pak se e Kosovës”. Ftesa e Ramës, ja si i përgjigjet Basha

“Dy paketat e Shqipërisë, më pak se e Kosovës”.

Lulzim Basha komentoi paketën e dytë financiare të qeverisë, duke konsideruar këtë (marrë së bashku me paketën e parë) më pak se sa e Kosovës. Në një lidhje direkte në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, Basha u shpreh se të dyja paketat e qeverisë shqiptare janë sa 2/3 e paketës së Kosovës. “Le ta marrim të mirëqenë paketën prej 70 milionë USD dhe t’i shtojmë paketën e parë. Të dyja bashkë janë sa 2/3 e paketës së Kosovës, qe po bën gati paketën e dytë. E shikoni sa mbrapa jemi me paketën mbështetëse?”, tha Basha.

Basha tha se Shqipëria ka mundësi të bëj më shumë, duke u shprehur se qeveria duhet të anulojë koncesionet dhe investimet publike, para të cilat duhet të përdoren për të përballuar krizën. “120 milionë euro të koncesioneve, 100 milionë të investimeve publike, që gjithsesi këtë vit nuk kanë për t’u bërë dhe nuk janë prioritet dhe afro 40 milionë euro të tjera përbëjnë një shumë totale prej 260 milionë euro qe na jep mundësinë të jemi në një nivel me Kosovën, që ka më pak banorë. Akoma më dramatik është zbatimi i paketës. E vlerësova shumë kur kryeministri shkroi në 17 mars që në fund të marsit, të gjithë ata që janë dëmtuar do të kenë paratë në kontot e tyre bankare. Por kur diçka tjetër thuhet dhe diçka tjetër bëhet, nuk është vetëm problemi i pabesueshmërisë, problemi është çfarë arrin tek qytetari dhe kjo kushton shumë rëndë. Kemi një shkallë të lartë nervozizmi të shoqërisë, paqartësi dhe pasiguri”, tha Basha.

Basha nuk dha një përgjigje të prerë nëse do të komunikojë ose jo me Kryeministrin Edi Rama pas thirrjes së këtij të fundit për një bisedë online. “Unë s'thashë asgjë të tillë. Përkundrazi ju thashë që prej fillimit kemi adoptuar një qasje krejt të ndryshme në raport me çdo opozitë të mëparshme në Shqipëri, madje do te thoja  qe ne kemi komunikuar në mënyrë të vazhdueshme, ne kemi propozuar, kemi kërkuar në mënyrë të përsëritur që qeveria të hedhë hapa të vendosur, pjesë të një plani të mirëmenduar si për tu përballur me situatën ashtu edhe për të dalë nga kriza. Dhe sa herë që qeveria e ka bërë këtë përsëri kemi komunikuar dhe kemi përshëndetur dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha Basha.

Të fundit