Flash News

E-TJERA

“Ky qytet është i imi ose vdes”/ Daily Mail: Pse bosët e drogës në Liverpool refuzojnë të punojnë me shqiptarët

“Ky qytet është i imi ose vdes”/ Daily Mail: Pse

Në një prej qyteteve të rralla në Britaninë e Madhe ku mafia shqiptare ende nuk ka depërtuar me sukses, bandat lokale të drogës në Liverpool po i rezistojnë me çdo kusht bashkëpunimit me trafikantët shqiptarë, ndryshe nga pjesa tjetër e vendit ku shqiptarët kontrollojnë tregun e kokainës.

Gazeta britanike Daily Mail sjell prova të reja nga hetimet policore dhe bisedat e dekriptuara nga platforma EncroChat, që tregojnë se bosët e drogës në këtë qytet nuk janë të gatshëm të lëshojnë terren për bandat shqiptare, të njohura për çmimet e ulëta dhe përdorimin e dhunës vdekjeprurëse.

Në një nga bisedat e përgjuara midis vëllezërve Vincent dhe Francis Coggins – të cilët drejtojnë grupin famëkeq “Huyton Firm” – ata flasin për një trafikant shqiptar nga Marbella, por refuzojnë ofertën e tij për bashkëpunim. “Po, të lodhin shumë albot,” shkruan Vincent, duke treguar qartë mospëlqimin ndaj shqiptarëve në këtë treg.

Një burim i përfshirë në botën e krimit në Liverpool tha për Daily Mail: “Nëse shqiptarët do të përpiqeshin të hynin me forcë në tregun e pakicës, do të shpërthente lufta. Ata nuk i duan dhe nuk i lejojnë në territorin e tyre.”

Kjo ndjenjë ilustrohet edhe në serialin e BBC-së “This City Is Ours”, ku një personazh kriminel refuzon një marrëveshje me trafikantë shqiptarë me fjalët: “Nëse i përfshin shqiptarët, ata nuk largohen më kurrë.”

Ndryshe nga qytetet si Londra apo Birmingham, ku shqiptarët kanë ndërtuar rrjete të fuqishme përmes lidhjeve me kartelet kolumbiane dhe ‘Ndrangheta-n italiane, në Liverpool ata përballen me një mur të pakalueshëm: bandat vendase dhe kontrolli mbi portin e qytetit.

Sipas ekspertëve, kontrolli mbi Portin e Liverpoolit është një faktor kyç në dominimin e bandave lokale. Në gjyqin kundër vëllezërve Coggins doli se ata kishin korruptuar punonjës porti për të futur drogë nëpër kontejnerë, duke shmangur kontrollet policore.

Ndërkohë, shqiptarët kanë tentuar të futen në treg përmes rrjeteve të kultivimit të kanabisit. Në mars, policia zbuloi një fermë në zonën ‘West Derby’ – një nga të paktat raste të pranishmërisë shqiptare në këtë qytet – që rezultoi pjesë e një operacioni të madh me mbi 100 ferma në mbarë vendin, ku grupi prej 10 personash kishte vjedhur energji elektrike për të rritur kanabis me vlerë rreth 21 milionë paund.

Gjithsesi, pavarësisht përpjekjeve të tyre, bandat shqiptare duket se nuk kanë gjetur ende mënyrën për të thyer kontrollin lokal në Liverpool. Siç thotë një ish-trafikant: “Nëse ke portin, ke qytetin. Dhe shqiptarët nuk e kanë portin”.

Të fundit