A është ky një tjetër sinjal i Tiranës? Qeveria dërgon Olta Xhaçkën në Turqi; Erdogan në përplasje të hapur me SHBA

Në një kohë kur marrëdhëniet e SHBA-së me Turqinë janë tensionuar sërish për shkak të sulmeve që Ankaraja ka nisur ndaj kurdëve në Siri, qeveria shqiptare ka vendosur të dërgojë në kryeqytetin turk ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Ministria dhe vetë Xhaçka nuk kanë njoftuar për këtë vizitë, duke e mbajtur atë të fshehtë për publikun dhe median shqiptare. Janë mediat turke ato që japin disa detaje, ndonëse nuk bëjnë publike qëllimin e vizitës, raporton Politiko.al.

Në Ankara, Olta Xhaçka është pritur me ceremoni ushtarake nga homologu Nurettin Canikli, ndërkohë që është takuar edhe me kryeshefin e Shtatmadhorisë së Turqisë, gjeneralin Hulusi Akar.

Ministria turke njofton se në takim janë trajtuar çështjet si bashkëpunim në industrinë ushtarake dhe të mbrojtjes mes dy vendeve, por pa dhënë më shumë detaje.

Vizita e Xhaçkës në Turqi në një kohë kur ky vend është në përplasje të hapur me aleatin strategjik, SHBA-në, dhe Bashkimi Europian ka shprehur shqetësimin për luftimet në Siri, ngre dyshime nëse Tirana po kërkon të japë sinjale për ndryshim kursi.

Dyshimet u bënë serioze që pas votimit në OKB të rezolutës kundër vendimit të presidentit Donald Trump për të njohur Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit, megjithatë, qeveria shqiptare hodhi poshtë një pozicionim kundër SHBA-së.

Shqipëria sërish përballë zgjedhjes; SHBA apo Turqi? Erdogan: Do ta mbysim ushtrinë e terrorit