Flash News
Vendimi për çështjen e vulës, Bardhi: Gjykata e Lartë t’i japë fund absurdit, PD i përket anëtarëve të saj
Nasip Naço del nga SPAK: U pyeta për çështjen ÇEZ-DIA, kam folur me letra, jo me heshtje
Shtyhet sërish seanca për Berishën, shkak mungesa e prokurorëve
Investimi në Sazan/ Rama pyetet pse nuk shpall tender kombëtar: Do shqyrtojmë aplikimin
Paraqitet në SPAK, ish-ministri dhe deputeti socialist, Nasip Naço
Marsel Lela
Qetësia dhe siguria që vishnin Ilir Metën gjatë seancës së Komisionit Hetimor, kishte diçka të ngjashme me macet, felinët e dashur të presidentit, me të cilët e kemi parë të pozojë shpesh gjatë këndelljes së tij në bregdet këtë verë.
Paqja e brendshme që Meta përpiqej të përcillte së jashtmi nëpërmjet fotove të postuara në facebook, ku paraqitej me imazhin e ‘godfather’, herë duke përkëdhelur macen e tij, e herë i rrethuar prej disa syresh, përmbanin mesazhe të ‘koduara’ për maxhorancën dhe Komisionin e thirrur prej saj për shkarkimin e presidentit.
Me këto mesazhe Meta po tregonte se nuk kishte bërë asgjë pa e menduar hollësisht, dhe se zhdekretimi i 30 qershorit si data e zgjedhjeve vendore nuk ishte një hap i pakontrolluar prej tij. ‘Kodet’ e tij ishin një tregues se ai e kishte një gur rezervë në dorë. Një gur që ai ia hodhi kokës Lulzim Bashës me deklaratën se kishte informacione që në protestën e opozitës më 8 qershor ishte planifikuar djegia e Parlamentit.
Një gur i hedhur me mjaft qetësi, por që la pas zhaurimën e dallgëve të mëdha!
E njëjta qetësi e karakterizonte edhe në vitin 2012, kur Prokuroria kërkonte dy vjet burg dhe 1 milion lek gjobë për Ilir Metën e akuzuar asokohe për korrupsion në bazë të videos dhe dëshmisë së Dritan Priftit. Në këtë betejë tek Meta do të nxirrte kokën sërish një felin: ‘luani me të cilin nuk mund të ndeshej një mi moçalesh që ka pirë raki dhe nuk e mban dot’.
Ndryshe nga atëherë kur përballë tij kishte veten me zë dhe figurë i kapur në një akt korruptiv, përballë Komisionit Hetimor Meta e pati më të lehtë të luante rolin e luanit.
Përballë tij kësaj radhe ai pati një komision që ishte mbledhur për të hetuar shkeljen e ligjit, pa qenë vetë në rregull me ligjin. Në krye të tij ishte Ulsi Manja, një nga zyrtarët që u kapën në përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane BILD për vjedhjen e votave në Dibër në vitin 2017.
Po ashtu, anëtarët e Komisionit ishin po ata që e kishin votuar rezolutën e miratuar nga Parlamenti, që i quante antikushtetuese veprimet e presidentit, e tani po hetonin diçka për të cilën e kishin dhënë verdiktin. Me pak fjalë, i bie që po gjykonin dikë të cilin e kishin ‘ekzekutuar’ më parë.
Përballë një komisioni të tillë, nga i cili Meta u duk sikur më shumë u argëtua se u tremb, ai nuk e pati të vështirë që në sytë e opinionit publik të shfaqej si një luan që e kishin çuar në një cirk për ta zbutur, por që prej të cilit doli më i fortë.