Flash News

KRYESORE

Gjendja e rënduar në Kosovë prej koronavirusit, apelon Vjosa Osmani: Alarm për institucionet

Gjendja e rënduar në Kosovë prej koronavirusit, apelon Vjosa

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka reaguar për situatën aspak të qetë në Kosovë prej koronavirusit.

Vetëm në dy ditët e fundit në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 31 vdekje.

Në një postim në Facebook Osmani shkruan se dhimbja e 227 familjeve që deri më sot kanë humbur më të dashurit e tyre nga kjo sëmundje e rrezikshme, duhet të shërbejë si një alarm për institucionet, të cilat kanë për detyrë të mbrojnë jetën e qytetarëve.

“31 familje po i varrosin më të dashurit e tyre, që humbën jetën dje (16) e sot (15) nga virusi Covid-19. Ditët e festave janë ditë kur zotërojnë gëzimi e hareja, por sot, disa familje po i japin lamtumirën e fundit atyre që i deshën më së shumti. Lutem që Zoti t’ua lehtësojë dhimbjen në këto kohë të rënda e për humbjen e madhe jo vetëm për familjet por për gjithë shoqërinë tonë”, shkruan Osmani.

Po ashtu ka një lutje edhe për qytetarët që për festën e Bajramit të bëjnë kujdes të shtuar.

“Prandaj nëse u shkon mendja që për këtë Bajram t’i injoroni këshillat e mjekëve për festë nga distanca, ju lus mendoni për 227 familjet që sot kanë dhimbje për fëmijët, vëllezërit, motrat apo prindërit e tyre, të cilët i humbën për shkak të pandemisë”, shkruan Osmani.

Kryeparlamentarja, ka ngushëlluar familjet e viktimave nga COVID-19.

“Dhimbja e tyre le të shërbejë si alarm për të gjithë për rrezikun e këtij virusi e në veçanti për institucionet që e kanë për obligim të mbrojnë jetën e qytetarëve.Ngushëllime edhe njëherë të gjitha familjeve që humbën më të dashurit”, përfundon mesazhin.

Të fundit