Gjykata Kushtetuese vendos pro dekretit të Thaçit, i hap rrugën Abdulla Hotit për qeverinë e re në Kosovë

Qeveri e re dhe jo zgjedhje nga e para në Kosovë, pas mocionit të mosbesimit dhe shkarkimit të Albin Kurtit nga posti i kryeministrit.

Ky është vendimi që mori me votë unanime mbrëmë vonë Gjykata Kushtetuese e Kosovës duke i hapur kështu rrugë krijimit të qeverisë së re.

Gjykata i dha të drejtë presidentit Hashim Thaçi rreth dekretit për mandatarin e qeverisë, pasi sipas saj ai nuk e ka shkelur Kushtetutën në vendimin e 30 prillit për t’ia propozuar Kuvendit të Kosovës kandidatin e ri për formimin e qeverisë, siç kishte pretenduar Vetëvendosje në kërkesën e saj për shqyrtim nga ana e gjykatës.

Kështu, kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, mund të formojë qeverinë e re.

Reagon Thaçi: Të mos humbet kohë për qeverinë e re  

E mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit tim për mandatimin e z. Hoti, kandidat për kryeministër. Kam qenë i bindur se çdo hap që kam ndërmarr ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe më vjen mirë që këtë e konfirmoi edhe Gjykata Kushtetuese.

Partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën

Kosovën e presin shumë sfida përpara, prandaj tash nuk duhet të humbet më kohë për formimin e Qeverisë së re, me legjitimitet të plotë nga Kuvendi i Kosovës”, shkruan Thaçi.