Flash News

KRYESORE

Hakmarrja, kryebashkiaku i LSI-së në Bulqizë shkarkon nga puna punonjësit socialistë të administratës

“Të katërt jemi larguar se i përkasim PS-së dhe në zgjedhjet e 25 qershorit votuam për të dhe jo për LSI-në e kryebashkiakut, prandaj na largoi nga puna, pavarësisht se në vendimin e shkarkimit thuhet për punë të dobët,” tha njeri prej tyre. 

Kreu i bashkisë së Bulqizës Melaim Damzi akuzohet se ka shkarkuar disa punonjës së njësisë administrative Gjoricë për shkak të bindjeve politike, por kryebashkiaku përgjigjet se përtej akuzave është kompetencë e tij të zgjedh stafin me të cilin punon.

Pas përplasjeve gjatës fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, kreu i bashkisë së Bulqizës, Melaim Damzi, akuzohet se ka shkarkuar nga puna disa punonjës të njësisë administrative Gjoricë, përfshirë edhe administratorin e kësaj njësie, Vebi Xheka, për shkak se ata i përkasin Partisë Socialiste.

“Shkarkimi im nga detyra, është dhe mbetet thjeshtë dhe vetëm politik, pasi kurrsesi nuk mund të pranoja ofertën e kryebashkiakut Damzi, që të bëhesha pjesë e fushatës së LSI-së, në zgjedhjet e 25 qershorit, kjo pasi koalicioni mes forcave tona politike PS dhe LSI, nuk funksiononte në këto zgjedhje dhe unë padyshim që do punoja e luftoja për fitoren e forcës time politike,” u shpreh Xheka.

“Në bisedën me kryebashkiakun  mu tha qartë dhe prerë, se në rast se nuk përfshihem në fushatën e LSI-së, kurrsesi nuk mund të isha më pjesë e stafit të kryebashkiakut,” shtoi ai.

Melazim Damzi u zgjodh kryebashkiak i Bulqizës në vitin 2015-të, si pjesë e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane, i përbërë nga Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste pë Integrim. Por pas katër viteve në pushtet këtij koalicioni i erdhi fundi në vigjilje të fushatës elektorale të 25 qershorit, duke sjellë dhe ashpërsimin e toneve midis dy partive të majta.

Megjithatë, vala e shkarkimeve në këtë njësi administrative ka vijuar edhe pas zgjedhjeve të 25 qershorit, me katër punonjës të tjerë të saj, Ilmi Xheka, Fehmi Cami, Medat Xheka dhe Donika Cami, kjo e fundit me profesion sanitare.

Punonjësit e shkarkuar u ankuan se edhe pse motivimi zyrtar pretendon se janë liruar nga detyra për punë të dobët, ata janë shkarkuar për arsye politike.

Të fundit