Flash News

KRYESORE

ISIS kërcënon sërish Shqipërinë, mesazhi i Lavdrim Muhaxherit për gazetarin shqiptar: Prisni sulme me thika dhe makina bombë

Shqiptari nga Kaçaniku i Kosovës, Lavdrim Muhaxheri një eksponent i njohur i ISIS dhe ekzekutues barbar i shumë personave në Siri, ka lëshuar në kërcënim të fortë për sulme me thika dhe makina bombë në Shqipëri.

Gazeta ‘Dita’ publikon sot komunikimet disa javore përmes rrjeteve sociale që gazetari Muhamed Veliu ka zhvilluar me një përfaqësues shqiptar të ISIS i cili punon në Ministrinë e Medias të Shtetit Islamik.

Qëllimi final ishte intervistimi i Lavdrim Muhaxherit i kthyer në njeriun më besnik të kreut të ISIS, Abu Bakr al-Baghdadi.

Një pjesë e këtyre komunikimeve do të publikohen nga gazetari Veliu në një të përditshme britanike si pjesë e një investigimi disa mujor,  ku do të tregohet se si rrjetet sociale si Facebook, Twitter dhe  Telegram Messenger, janë kthyer në armën më të fortë propaganduese, urdhëruese të sulmeve në Europë  dhe gjithashtu rekrutuese  të Shtetit Islamik.

Komunikimi

Gazetari Muhamed Veliu në rrëfimin e tij për Dita  tregon se gjithçka nisi kur një burim i tregoi për një llogari në facebook, që përdoret nga Lavdrim Muhaxheri. Në këtë llogari çdo ditë postohen lajme  të detajuara që kanë të bëjnë me luftimet e ISIS në Siri dhe vende të tjera.

Është një informacion i dorës së parë që vjen nga Rakka kryeqendra e të ashtuquajturit Kalifatit Islamik.

“Mëngjesin e 7 prillit 2017 i dërgova një ftesë për miqësi në facebook Lavdërim Muhaxherit i cili llogarinë në facebook  mban jo emrin e tij. Ftesën time e pranoi dhe i shkruajta se isha i interesuar për një intervistë e cila do të ishte në dy pjesë. Njëra kishte të bënte me Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë që do të botohej në median shqiptare  dhe pjesa tjetër për mediat në Britaninë e Madhe për të cilat unë punoj si gazetar i lirë nga Tirana. Pas 13 ditësh nga kërkesa për intervistë vjen përgjigja: “Më vie keq por unë nuk jam Lavdërimi”. Ishte një mohim nga ana e tij paçka se burimi im i informacionit ngulmon se ajo llogari përdoret prej tij”, thotë Muhamed Veliu.

Ai tregon se disa ditë më pas ka marrë një ftesë për miqësi në facebook nga një shqiptar në Siri me emrin Ebu Musab El-Albani, i cili u prezantua si punonjës i Ministrisë së Medias në ISIS.

Ebu Musab El-Albani tregon Muhamed Veliu ishte në dijeni të kërkesës së tij për intervistë me Lavdërim Muhaxherin, fakt i cili lë të kuptohet se personi që mohoi të ishte Lavdërim Muhaxheri ishte pikërisht ai i cili tashmë e kishte kanalizuar kërkesën për intervistë, në Ministrisë së Medias në ISIS.

Por si u zhvillua biseda më pas me Ebu Musab El-Albanin shqiptarin e përfshirë në makinerinë e propagandës së ISIS?

Gazetari Veliu thotë: “Më 21 prill ora 01:48 kam marrë në facebook messenger nga Ebu Musab El-Albani mesazhin ku  shkruante: “Ne jemi lajmëruar se ju jeni të interesuar për një intervistë me ne. Më shkruani mua për këto gjëra, unë jam punonjës i Ministrisë së Medieve”. Kërkesën për intervistë ia përsërita Ebu Musab El-Albanit i cili më la të kuptohej se ai ishte ngarkuar të ndërmjetësonte këtë intervistë nga  Lavdrim Muhaxherit. Përgjigja e tij ishte: “Do të shikoj, por po të tregoj se rregullat e Shtetit nuk lejojnë intervista individuale, të cilat janë jashtë institucioneve mediale të Shtetit, për arsye që besoj se mund t’i kuptoni por megjithatë unë fjalët tua do t’i përcjell për çdo rast” më tha ai.

Mes gazetarit Veliu dhe Ebu Musab El-Albanit ishte vendosur tashmë komunikimi nga ku përmes bisedës me Ebu Musab El-Albanin, ishte i interesuar për detajet e intervistës. Në një prej mesazheve ai thotë: “Ne ende jemi duke pritur për përgjigjën e udhëheqësve shtetërorë rreth kërkesës suaj për intervistë. Ju duhet ta dini se kjo çështje nuk varet nga ne. Neve nuk na lejohet ta zhvillojmë këtë intervistë pa lejen e tyre. Ne jemi besuar për bindje ndaj tyre. Lavdërimi është në dijeni për këtë”.

Muhamed Veliu gjatë bisedës e pyet shqiptarin e Ministrisë së Medias të ISIS Ebu Musab El-Albanin se si është situata në Rakka? Ai i jep këtë përgjigje: “Jemi nën rrethimin e jobesimtarëve dhe idhujtarëve, por me mirësinë e Allahut po qëndrojmë të palëkundur. Për ne nuk ka asgjë tjetër pos njërës nga dy të mirat: O fitues, o dëshmorë”.

Muhamed Veliu e pyet për numrin e shqiptarëve të mbetur në Siri.

Ebu Musab El-Albani përgjigjet: “Ka ende shqiptarë edhe pse numri me kohën është zvogëluar”.

Më 24 prill ora 22:20,  Ebu Musab El-Albani i dërgon një tjetër mesazh gazetarit Veliu ku i thotë:

“I nderuar.  Ne ende jemi duke pritur përgjigjen e udhëheqësisë”.

Gazetari i përgjigjet se ai po qëndron në pritje të përgjigjes dhe se ai do të tregohet korrekt duke mos tjetërsuar përgjigjet e intervistës. Por Ebu Musab El-Albani përcjell një mesazh të Lavdërim Muhaxherit për të cilin thotë: “Më është thënë se Lavdërimi është i gatshëm për intervistë, por dyshon se do të lejohet. Ai po ashtu ka shprehur dyshimin se ju do t’i përmbaheni premtimit tuaj. Ju duhet ta dini se ne edhe më parë kemi pranuar të flasim me gazetarë/medie të ndryshme, por ato/ata nuk e kanë mbajtur fjalën dhe i kanë ndryshuar fjalët tona”.

Pas këtij mesazhi Muhamed Veliu i është përgjigjur: “Kam 15 vite që merrem me gazetari dhe kurrë nuk i kam ndryshuar thëniet askujt”.

Gjatë bisedës gazetari Veliu tenton të mësojë më shumë se kush është Ebu Musab El-Albani kur e pyet nëse është nga Shqipëria. Ai përgjigjet: “Po, por jo nga Shqipëria e tanishme. E kam fjalën për kufijtë…”.

Pas disa ditësh gazetari Muhamed Veliu kërkon të dijë nga Ebu Musab El-Albani se cilat janë rrjetet e tjera të komunikimit të ISIS përveç facebook.

Ebu Musab El-Albani gjatë bisedës tregon se është aplikacioni Telegram Messenger the ata kanë një kanal në gjuhën shqipe.

Biseda mes gazetarit Veliu dhe Ebu Musab El-Albani ka vijuar në aplikacionin Telegram nga ku gazetari e ka pyetur se si do të zhvillohet intervista me Muhaxherin. Përmes Facebook Messenger, Skype apo me telefon dhe e pyet Ebu Musab El-Albanin nëse ata përdornin edhe telefonat. Ai thotë: “Kemi, por është shumë e rrezikshme. Aeroplanët dhe dronet e gjithë botës po bombardojnë këtu. Ka edhe shqiptarë të vrarë nga këto sulme”.

Gjatë bisedës ai bën edhe një paralajmërim për Qeverinë Shqiptare.

“Qeveria felëshuese shqiptare bën mirë të mos vazhdojë punën si kukull e kryqtarëve. Ne jemi në dijeni se ajo po planifikon dërgimin e njësive kundër Shtetit Islam”, shkruante Ebu Musab El-Albani.

Disa ditë më pas Ebu Musab El-Albani kërkon t’i dërgohen me e-mail pyetjet për Lavdrim Muhamexherin.

Gazetari Veliu thotë se këtë moment iu duk se ishte një hap larg nga të intervistuarit e  Lavdim Muhaxherit.

“Janë nga ato intervista që mund të ndodhin njëherë në jetë. Prandaj përgatitja e pyetjeve merrte një rëndësi të veçantë. Meqenëse çështja e ISIS është komplekse përpara përgatitjes së pyetjeve mu desh të konsultohesha me ekspertë që kanë dijeni për çështjet e terrorizmit dhe të fesë Islame. Shpenzova shumë kohë në internet duke mësuar më shumë rreth Lavdrim Muhaxherit dhe organizatës ku ai militon. Mu desh të formuloja 40 pyetje të ndarë në  tre blloqe. Blloku i parë lidhej me aktivitetin e Lavdrim Muhaxherit në Siri dhe marrëdhëniet e tij me mbështetës të Shtetit Islamik në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Blloku i dytë lidhej me Britaninë e Madhe dhe sulmin e fundit të marrë përsipër nga ISIS në Londër dhe blloku i tretë për përdorimin e rrjeteve sociale nga ISIS.

Ebu Musab el-Albani,  në 25.04.17  ora 23:02 përgjigjet se i ka marrë pyetjet të cilat i kishte parë edhe Lavdrim Muhamxheri  por thoshte se  “Mendoj se ka pyetje në të cilat ai nuk do të përgjigjej”.

Bëhet fjalë për disa pyetje rreth ekzekutimit të një të riu me anti-tank nga Lavdërim Muhaxheri.

A duhet intervistuar një terrorist?

Debatet nëse duhen intervistuar njerëz që janë të lidhur me terrorizmin si Lavdrim Muhaxheri janë të shumta dhe të vazhdueshme. Por gazetari shqiptar Muhamed Veliu i cili ishte shumë pranë realizimit të intervistës me të, pohon se nuk ka bërë asgjë më shumë apo më pak me kolegët e tij  të mediave perëndimore që në pak raste ia kanë dalë të intervistojnë persona brenda gjirit të ISIS. Për këtë ai thotë:

“Po është e vërtetë se ka një debat nëse duhet ti japësh zë të tillë njerëzve. Jam i vetëdijshëm se pas këtij shkrimi nuk do të mungojnë njerëzit të cilët do të thonë: Po këtij çfarë i duhet që tenton intervista të tilla? Edhe unë kisha dilemat e mija nëse duhet të ndërmarrja këtë përpjekje për të intervistuar një terrorist brutal e të pashpirt si Lavdrim Muhaxheri. Qëllimi ishte të hyja në botën e errët të kësaj organizate që për fat të keq i janë bashkuar më shumë se 100 shqiptarë dhe për këtë më mirë se Muhaxheri rekrutuesi dhe tru-shpëlarësi i tyre nuk mund të fliste askush. Në të njëjtën kohë doja t’ju tregoja të gjithë atyre që do ta lexonin atë intervistë se ISIS është duke e keqpërdorur fenë Islame pasi Muhaxheri do të duhej ti jepte përgjigje pyetjeve të mija nga të cilat dilte qartë në pah se feja Islame në mënyrë kategorike e ndalon atë barbari vrasjesh ku është përfshirë Muhaxheri dhe ISIS.

Megjithatë besoj se kjo intervistë nëse do të ishte realizuar më shumë se sa një scoop gazetaresk, që në fund të fundit punon çdo gazetar dhe intervista të tilla mund të të ndodhin vetëm njëherë në jetë, mendoj se është detyra e çdo gazetari të kuptojë dhe të nxjerrë në sipërfaqe jo vetëm anën bardhë e zi por edhe atë gri të tilla ngjarjeve dhe personazheve. Për disa javë kam lundruar me orë të tëra në rrjetet sociale, ku propagandohet ISIS dhe lartësohen vrasjet makabre tërësisht të pabazuara në fenë Islame.

Kam bërë po të njëjtën gjë që e bën që prej vitit 2012  Rukmimi Callimachi korrespondente e njohur e New York Times  e nominuar tre herë për çmimin Pulitzer e cila shkrimet e saj për Al-Kaedwn dhe tani ISIS  i ka të bazuara në hulumtimet e rrjeteve sociale si Facebook, Twitter, Youtube  dhe së fundmi Telegram”.

Të njëjtën gjë ka bërë edhe gazetari i programit NewsNight në BBC2 Secunder Kermani, i cili mundi të intervistonte në 2015-tën një shtetas britanik në Siri që i ishte bashkuar ISIS. Gazetari Secunder Kermani tashmë ka krijuar profilin e një gazetari të specializuar për intervista online me luftëtarët e ISIS.

(Marrë me shkurtime nga Dita)

Të fundit