Konferenca e Kryetarëve, kërkohet dorëheqja e Gramoz Ruçit nga posti i kreut të Kuvendit

Konferenca e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare është mbledhur sot në Kryesinë e Kuvendit, ku nuk kanë munguar debatet për situatën politike.

Edmond Spaho, kryetar i Grupit Parlementar të PD, ka kërkuar dorëheqjen e Gramoz Ruçit nga posti i kreut të Kuvendit. Opozita e akuzon Ruçin si zbatues të puçit kushtetutes të urdhëruar nga kryeministri Edi Rama për zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme. Sipas demokratit, qëllimi i puçit të 18 dhjetorit është mbrojtja e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri apo e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.

Sa i përket mbledhjes, sot në Konferencën e Kryetarëve do të miratohet kalendari tre javor i punimeve të Kuvendit.

Deputeti i rëndësishëm i PS-së drejt lënies së mandatit

***

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Edmond Spaho në një deklaratë pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, theksoi se në datën 18 Dhjetor, gjatë seancës së fundit të Kuvendit, është kryer një puç kushtetues i urdhëruar nga Edi Rama, por me dijeninë, miratimin dhe zbatimin e kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Nisur nga faktet dhe argumentët e paraqitura këtë të enjte në Kryesinë e Kuvendit, në prezencë të Ruçit, Partia Demokratike ka kërkuar dorëheqjen nga funksioni i Kryetarit të Kuvendit.

Spaho theksoi se Kuvendi i Shqipërisë me votat e maxhorancës, në kundërshtim me përcaktimet Kushtetuese të cilat kërkojnë zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm me 3/5 e votave, të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe të ketë kaluar proçesin e vettingut, e zgjodhi atë me propozim të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, pa vetting dhe me 69 vota.

Spaho vuri në dukje se kjo shkelje flagrante e Kushtetutës i jep mbrojtje politike dhe antiligjore Edi Ramës, ministrave dhe oligarkëve të tij, i jep mbrojtje Sajmir Tahirit dhe aktivitetit të tij kriminal i cili kanabizoi vendin, i jep mbrojtje Vangjush Dakos nga përgjimet e shërbimeve të huaja, ku në këmbim të votave në zgjedhjet e 25 Qershorit u ofroi grupeve kriminale fonde shtetërore nëpërmjet tenderave publikë, i jep mbrojtje Qazim Sejdinit për lidhjet me krimin e organizuar në Elbasan, pastrimin e parave për të cilen hetohen familjarët e tij dhe blerjen e zgjedhjeve. Ai theksoi se për sa kohë Kushtetuta e Shqipërisë do të shkelet, Parlamenti nuk do të funksionojë në kushte normale.

“Paralajmërimi i opozitës po vërtetohet çdo ditë me shkarkimin e prokurorëve brenda disa ditëve dhe zëvendesimin e tyre me sejmenë të Edi Ramës, dhënien e pasaportës Sajmir Tahirit, lirimin e Orest Sotës i cili u kap me 863 mije euro dhe dy patenta të Sajmir Tahirit si dhe lirimin para disa ditësh të një të burgosuri të proçesit të Xibrakës. Në këto kushte Opozita nuk mund të lejojë shkeljen permanente të Kushtetutës dhe delegjitimimin e institucioneve, duke qëndruar fort në mbrojtje të saj dhe institucioneve demokratike dhe si hap i parë i kthimit të normalitetit në Kuvend, kërkojmë dorëheqjen tuaj nga funksioni i Kryetarit te Kuvendit”, theksoi kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Edmond Spaho.