Flash News

NDËRKOMBËTARE

Ministri i Jashtëm çek kundër presidentit: Qeveria nuk e ka ndryshuar qëndrimin për Kosovën

Ministri i Jashtëm i Republikës Çeke, Tomas Petriçek reagoi pas deklaratave të presidentit të vendit Millosh Zeman, se do të diskutojë me qeverinë për tërheqjen e njohjes së shtetit të Kosovës.

Me një status në “Twitter”, ministri tha se qeveria e çeke nuk e ndryshon qëndrimin për pavarësinë e Kosovës.

“Qeveria çeke, e cila është përgjegjëse për politikën e jashtme, nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj për Kosovën ose ndonjë prej shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ne do të vazhdojmë të mbështesim dialogun mes Serbisë dhe Kosovës dhe rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. “, shkroi Petriçek.

Ndërkaq, kryetari i Senatit çek, Jaroslav Kubera, tha se ideja e presidentit për tërheqjen e njohjes së Kosovës, është joreale. “Presidenti mund të thotë çfarë të dojë, por nuk është ai që mund të bëjë diçka. Do të ishte debat i madh për asgjë”, tha Kubera.

“Shteti i udhëhequr nga kriminelët e luftës, nuk i përket bashkësisë së shteteve demokratike”, tha Zeman, duke iu referuar Kosovës, në një konferencë për mediet në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ky i fundit, i shprehu falënderimet. Por duket se qeveria ceke mendon shumë ndryshe.

Të fundit