Flash News

OP-ED

Në cilën anë është neutrale Serbia

Në cilën anë është neutrale Serbia

Boshko Jakshiç/ Nedeljnik

„Nuk ka rëndësi nëse një vend është neutral“, deklaronte në kohën e tij Uinston Çërçilli. „Rëndësi ka se në cilën anë është neutral“.

Serbia, në vitin 2017, nëpërmjet një rezolute të Parlamentit serb, shpalli neutralitetin dhe me këtë mori detyrimin që nuk do të bëhet antare e aleancës së NATO-s as edhe e Organizatës për marrëveshjen mbi sigurinë kolektive-OKBD. Koncepti ka mbijetur ndoshta edhe sepse Beogradi kurrë nuk ka kërkuar verifikim ndërkombëtar të këtij statusi të përcaktuar me kushtetutë dhe me ligjet që rrjedhin prej saj në mënyrë jo fort të përcaktuar.

Organizatat ndërkombëtare, fuqitë e mëdha dhe fqinjët, vlerësojnë se neutraliteti është më shumë në funksion të politikës së brendshme, më së shpeshti për shkak të Kosovës, por gjithsesi Serbia sot rrezikon ta paguajë çmimin e vizionit të saj të gabuar të zhvillimit të situatës gjeopolitike në botë.

Ballkani Perëndimor është shndërruar në një minifront të rivalitetit të rinovuar mes Lindjes dhe Perëndimit. Moska përpiqet që të frenojë ambicjet euroatlantike të rajonit, Uashingtoni të përmbyllë integrimin e rajonit dhe të bllokojë depërtimin e ndikimit „malinj“ rus.

Arkitektura e projektit neutral ka filluar të lëkundet. A ndodh kjo sepse diplomacia serbe nuk është e zonja për detyrën që i ka vënë vetes, apo sepse koalicioni përparimtaro-socialist synon drejt „partnerëve natyrorë“? Përshtypja është se lavjerrësi ka dalë nga pozicioni i ekuilibrit dhe po ecën në drejtim të Lindjes.

Ku ishim dje dhe ku jemi sot?

Në dekadat pas ndarjes së Titos me Stalinin në vitin 1948, ushtria jugosllave është stërvitur në manovrat ushtarake me strategji të ndryshme, por drejtimi i pritur i sulmit ishte përherë i njëjti: nga Lindja.

Kundër kujt po stërvitet sot, sëbashku me rusët, ushtria serbe? Drejtimi i pritur i sulmit, nga Lindja është zhvendosur në Perëndim. Virusi i populizmit po e shkund diplomacinë serbe e cila, për shkak të zgjedhësve dhe Kosovës, po luan me pozitën gjeostrategjike të vendit. Çfarë do të thotë deklarata e Shefit të Shtabit të ushtrisë serbe mbi „mbështetjen e ushtrisë ruse ndaj sfidave në Kosovë“?

Amerika, pa ndonjëfarë zemërimi zyrtar, ndjek me vëmendje gëzimin e presidentit serb dhe dallgëve të tabloidëve, por me siguri se ai episodi me S-400 është shënuar me kujdes. Dhe nuk do të harrohet. Njëlloj si me vëllezërit Bytyçi.

Neutraliteti serb më shumë i shkon për shtat Rusisë sesa Serbisë. Megjithëse në përputhje me orientimin strategjik zyrtar të Beogradit drejt BE-së, forcat tërheqëse nga Kremlini po e tërheqin Serbinë nga Perëndimi drejt Lindjes: që nga kundërshtimi i të gjithë rezolutave të institucioneve europiane që  kritikojnë Rusinë për shkak të aneksimit të Krimesë apo gjendjes së të drejtave të njeriut, e deri te forcimi i blerjeve të armëve ruse.

Aleksandër Vuçiçi është regjistruar sesi, me një shprehje gëzimi fëminor në fytyrë, qëndron i ulur në vendin e pilotit të avionit rus MIG 29, e këtyre ditëve ka ndjekur gjithë ngazëllim ardhjen e divizionit raketor S-400 dhe baterive kundër avionëve „Pancir S1“. „Unë nuk kam parë kurrë një gjë të tillë në jetën time!“, klithi presidenti duke shprehur keqardhjen se Serbia nuk i ka ato para për të blerë S-400, por për fat të mirë ka porositur blerjen e „Pancirëve“.

Ambasadori i Rusisë në Moskë, pardon, i Serbisë në Moskë, porosit: „Kjo është një ditë e madhe historike për shtetin tonë“. Mediat pranë regjimit, stërvitjen „Mbrojtja sllave 2019“ e pritën me breshëri nderi. Breshëritë e lavdisë u ndoqën me klithma prej krenarie militantësh.

Nuk jam ekspert për të vlerësuar „aftësitë e larta manovruese të forcave ushtarake ruse“, për të cilat foli komentatori rus i TASS-it, por shpreh nedrimet e mia për diplomacinë ruse e cila, me investime të vogla, po fiton mbështetjen e politikës aktuale serbe. Mjafton të thuhet se Serbia është „mik besnik“ dhe si e tillë ka merituar që S-400 për herë të parë dërgohen për stërvitje jashtë Rusisë, dhe putinofilët e entuziazmuar të paralajmërojnë menjëherë NATO-n „të mos e prekë Serbinë“.

Kremlini na tërheq me dinakëri në lojën e tij globale. „Ka rëndësi që të tregohet qartë se Serbia është nën mbrojtjen ruse“, deklaron gjenerali rus Sergej Lipovoj.

Furnizimi me armatime ruse dhe shëtitja e tyre reklamuese që nga Batajnica e deri në poligonin në Livadhet e Pasulit nuk janë sinjali i parë për Perëndimin se diçka nuk funksionon. Qëkur kanë detektuar se Rusia po kapitalizon mbështetje në mënyrë të përllogaritur mirë pas mbulesës së neutralitetit, kritikat ndaj Serbisë janë bërë më të shpeshta.

Përse atëherë krijohet figura e rremë kur bashkëpunimi ushtarak me NATO-n është më i fortë sesa me Rusinë dhe donacionet ushtarake amerikane në Serbi janë më të mëdhatë? Përse Vuçiçi thotë se bën një politikë properëndimore dhe formon opinion publik rusofil?

Sepse është i bindur se duke kombinuar furnizimin me helikopterë nga Rusia dhe nga Franca do ta ruajë neutralitetin dhe do të mund të mburret me sloganin e tipit trampist „Serbia numri 1“.

E gjitha kjo është një vetëgënjim që nuk mund të shtyjë tutje përshtypjen se Serbia po rrezikon të bëhet strategjikisht e çorientuar. Sasia e besimit të imponuar te Rusia është e barabartë me sasinë e besimit të imponuar te Perëndimi, do të ishte vlerësimi arkimedian i situatës.

Duket se Serbia dëshiron të zgjedhë se në cilën anë synon të jetë neutrale.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

 

 

 

Të fundit